Mediu në Kavajë: Vendi drejt autoritarizmit, të bashkohemi për ndryshimin

Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i renditur i shtati në listën e kandidatëve të koalicionit “PD-Aleanca për Ndryshim”, është ndalur së fundmi në një takim në qytetin e Kavajës. Mediu bashkëbisedoi me banorët atje dhe vuri theksin në situatën e rëndë që po kalon vendi sipas tij.

“Largimi masiv i shqiptarëve për shkak të regjimit korruptiv dhe antikombëtar Rama është me pasoja shumë të mëdha. Prandaj duhet të bashkohemi se është koha që të largohet Edi Rama, si shkaktar i kësaj braktisje, dhe jo të largohen shqiptarët nga vendi i tyre”, tha Mediu.

Nga ana tjetër, ai thotë se Shqipëria vitet e fundit ka përjetuar një rrëshqitje mbrapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Europë.

“Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet. Kemi kryeministër një njeri i cili mendon që jemi shërbëtorë të interesave të tij korruptive dhe kriminale. Kemi një njeri që ka shkatërruar shtetin, ka shkatërruar ekonominë, ka shkatërruar marrëdhëniet tona më të mira me partnerët tanë, e ka kthyer Shqipërinë në qendrën e problemit në Ballkan, në rrugën e trafikut të drogës. Detyra jonë qytetare dhe kombëtare është të dalim për të votuar të gjithë në mënyrë masive”, tha Mediu ndër të tjera në Kavajë.

SHKARKO APP