Mediu: Opozita duhet të jetë pjesë e protestës, por edhe burim i shpresës

Në një intervistë për Ora News, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka komentuar zhvillimet e fundit në vend duke u shprehur se protestat e ditëve të fundit ishin akumulim i pakënaqësive ndaj kësaj qeverie, kryesisht tek të rinjtë.

“Nuk mendoj se është një fenomen i shkëputur për shkak se ka kohë që qeveria Rama i është vendosur shqiptarëve në mënyrë të dhunshme duke mos respektuar liritë e të drejtat e tyre dhe duke i kthyer institucionet e shtetit në shërbim të një regjimi të korruptuar, kundër interesit të qytetarëve.

Janë shumë shqiptarë që janë larguar, janë shumë shqiptarë që janë në mjerim dhe shumë shqiptarë që nuk e pranojnë këtë realiteti. Policia nëse do të politizohet atëherë nuk do të dëgjijë më ligjin por atë që është në krye, kryeministrin apo ministrin”, tha Mediu.

Lidhur me qëndrimet e qeverisë dhe opozitës mbi vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, Mediu u shpreh se:

“Kjo është politika që ka ndjekur Rama. Shan, ofendon, fyen këdo që del kundër dhe në vend të përgjegjësisë, mënyrës së qeverisjes, problemet që ka vendi, çfarë zgjidhje duhet të ketë dhe gjithmonë mundohet ta drejtojë përgjegjësinë diku gjetkë duke u marrë me opozitën, me shoqërinë civile, me analistë vetëm e vetëm për të krijuar një debat që të shmangë vëmendjen nga ajo që është debati real.

Sjellja e tij ishte jo sjellja e një kryeministri por e një njeriu të papërgjegjshëm. Atë të kryeministrit e kanë përcjellë me zell edhe të tjerë duke i quajtur të rinjtë rrugaçë, huliganë që është një gjuhë e komunizmit. Kështu janë quajtur edhe studentët e Dhjetorit nga baballarët e këtyre”.

Më tej ai pati edhe një këshillë për opozitën: “Opozita duhet të jetë jo vetëm pjesë e protestës por edhe burim i shpresës. Të gërshetojë protestën me shpresën për të gërshetuar të ardhmen në Shqipëri”.

SHKARKO APP