Fatmir Mediu: PD të vlerësojë PR-në, ndryshe dalim më vete në zgjedhje
25 prilli po afron, dhe loja politike për zgjedhjet është ndezur, ku tashmë çdo ditë e më shumë partitë po prezantojnë kandidatët. Njëri prej tyre, kreu i PR-së Fatmir Mediu, kërkon që grupi i negociatorëve në selinë e PD të vlerësojë çdo kandidat potencial të republikanëve, që votat i përkthen në fitore të opozitës në zgjedhje.
”Ne mund t’i referohemi çdo lloj rezultati elektoral, si të Partisë Demokratike dhe të Partisë Republikane apo partive të tjera, për të përcaktuar se ku është fasha elektorale e Partisë Republikane, ku është fasha elektorale e Partisë Demokratike, si është shtrirja gjeografike e votave të Partisë Republikane, dhe në të gjitha qarqet, se ku e ka vendin Partia Republikane, në renditjen e kandidatëve”- thekson Mediu.
Fitoren e të djathtës e sheh të lidhur ngushtë me funksionimin e koalicionit opozitar, por në mungesë të një marrëveshje me Bashën, thotë se është i përgatitur për të dalë në zgjedhje me ekipin e tij të kandidatëve.
”Ne do të vazhdojmë aktivitetet nëpër rrethe dhe deklarimin e kandidatëvetë Partisë Republikane dhe e them edhe njëherë, jo në dëm të koalicionit, jo në dëm të marrëdhënieve, por në shërbim të marrëdhënieve, por edhe për të qenë të përgatitur në rast të fundit, në qoftë se ne do të na duhet të dalim vetëm si Parti Republikane, gjë të cilën nuk e uroj asnjëherë”,-thotë më tej Mediu.
Ambicia e Mediut për të marrë më shumë se një kandidat të sigurtë në listën fituesve të PD-së, duket se nuk është pranuar nga selia blu.
PR-ja historikisht ka qenë parti aleate e PD-së që prej themelimit. Edhe në momentet më të vështira të demokratëve, kjo forcë politike i ka qëndruar afër selisë blu, ndërkohë që partitë e tjera politike që morën racionin e kryetarit në lista, kanë lëvizur sa djathtas-majtas.
Kërkesa e PR mbetet logjike, ndonëse gjuha e bisedimëve mbetet udha më e mirë e jo kërcënimi.