Mediu përcjell apelin e Bundestagut: Qeveria të përmbushë me seriozitet kushtet për negociatat

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ndodhet në një vizitë zyrtare në Gjermani ku është takuar me [përfaqësuesit më të lartë të Bundestagut gjerman.

Konkretisht, kryerepublikani gjatë qëndrimit të tij në Berlin ka zhvilluar takime me deputetë të Bundenstagut Gjerman, me Raporterin për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm, Christian Schmidt, Katja Leikert Zv Kryetare e Grupit parlamentar CDU/CDU, Peter Beyer LL.M, Kordinator për Marrëdhëniet Transatlantike.

Në njoftimin e tij, Mediu thekson se deputetët e Bundenstagut gjerman teksa garantuan mbështetjen për Shqipërinë, këmbëngulin për përmbushjen me seriozitet nga qeveria dhe politika të kushteve të vendosura, si interes i Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Gjatë vizitës në Berlin pata kënaqësinë që të zhvilloja takime me deputetë të Bundenstagut Gjerman, me Raporterin për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm, Christian Schmidt, Katja Leikert Zv Kryetare e Grupit parlamentar CDU/CDU, Peter Beyer LL.M, Kordinator për Marrëdhëniet Transatlantike.

I falënderova në emër të opozitës për mbështetjen e sinqertë që Bundestagu i dha Shqipërisë për hapjen e negociatave për BE-në të shoqëruar me 9 kushte që reflektojnë qartë se Gjermania do një Shqipëri demokratike dhe Europiane, me një shtet kushtetues, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, gjyqësor funksional dhe të pavarur.

Për opozitën, kushtet e Gjermanisë janë udhërrëfyesi për të ardhmen për dialogun dhe zgjidhjen e ngërçit politik, zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Po ashtu, i bëra me dije se opozita ka filluar punën mbi këto kushte duke ndërtuar një grup që po punon për reformën zgjedhore, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Deputetët e Bundenstagut Gjerman garantuan mbështetjen për Shqipërinë, si dhe këmbëngulin për përmbushjen me seriozitet nga qeveria dhe politika të kushteve të vendosura, si interes i Shqipërisë dhe shqiptarëve”, shprehet kryerepublikani Fatmir Mediu në njoftimin e tij të përcjellë përmes rrjeteve sociale.

SHKARKO APP