Mediu: Rama ka ndërtuar regjimin më të korruptuar që ka sot Ballkani

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu e cilësoi situatën në vend si mjaft të rënduar. Nga Korça ku ai zhvilloi një takim me strukturat e kësaj partie, analizoi edhe arsyet pse Shqiptaret po jetojnë në këto kohë të vështira.

”Jetojmë në kohë të vështira, por është mirë si njerëz të bëjmë dhe analizën se pse jetojmë në kohë të vështira. Ka gjëra që si kemi, apo ka gjëra që na i kanë marrë? Nuk dimë, nuk duam,apo nuk na lënë? Pyetja e parë është: A po i gëzojmë liritë dhe të drejtat tona? Ato të cilat besuam dhe luftuam të gjithë. Liri dhe të drejta të cilat janë të shkruara në Kushtetutë. Kushtetuta shkruhet për të respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve dhe për të kufizuar autoritetin dhe pushtetin dhe abuzimin e qeverisë. A jemi sot ne, në një sistem funksional demokratik? Edi Rama kërkoi të krijojë një bindje dhe vazhdon ta bëjë atë, që politika është e pavlefshme, ka vetëm një njeri në këtë vend, i cili mund të bëjë si të dojë, kontrollon dhe vepron sipas interesave të tij dhe të klanit që ai ka rreth e rrotull, duke ndërtuar regjimin më të korruptuar që ka sot Ballkani”,-tha Mediu.

Nga ana tjetër, Mediu foli edhe për integrimin e vendit në BE, duke akuzuar kryeministrin Rama si përgjegjës për veprimet kundër Evropës. ”Edi Rama nuk e do Europën. Çdo veprim që bën Edi Rama është kundër Europës. Ka shtatë vjet që Shqipëria refuzohet. Ka shtatë vjet që shqiptarët refuzohen. Refuzohen për shkak se Edi Rama nuk ka bërë asnjë gjë që të realizojë standardet që kërkon Bashkimi Europian”.

Në mbyllje të këtij takimi, Mediu përmendi gjendjen e vështirë ekonomike me të cilën po përballet Shqipëria, duke ju referuar edhe raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar që evidenton Shqipërinë si një ndër vendet me ekonominë më të varfër në Europë.

SHKARKO APP