Mediu: Rama ofendon shqiptarët, përdoreni votën për të ndryshuar të ardhmen

Kreu i PR-së, dhe kandidat për deputet i koalicionin “PD-Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediu ka zhvilluar një takim me shtabin e tij elektoral, ku nuk ka kursyer akuzat për kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se është i vetmi që ç’bën vlerat dhe tradita e vendit tonë. Sipas tij Rama nuk ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e ekonomisë shqiptare dhe dinjitetin e njerëzve, por i ofendon ata duke i cilësuar si dembelë dhe të paaftë dhe për këtë do të sjellë punëtorë nga Bangladeshi. Mediu tha se Rama kërkon largimin e njerëzve dhe jo zhvillimin e vendit për t’i mbajtur ato këtu.

”Dua t`ju falënderoj sinqerisht sepse familja republikane është familja e njerëzve të mirë dhe dua që gjithësecili nga ju të jetë krenar. Edi Rama ka ardhur tek ajo pikë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë tonë kombëtare, do të ç’bëjë edhe vendin tonë dhe vlerat, traditën dhe çdo gjë që ka qenë e vlefshme dhe e pacenueshme nga ndonjë politikan, qeveri apo forcë politike. Edi Rama thotë që shqiptarët janë dembelë, shqiptarët nuk dinë, janë të paaftë, prandaj duhet të marrim punëtorë nga Bangladeshi, nga Pakistani, nga India, që të vejë në lëvizje ekonominë shqiptare, sipas Edi Ramës. Edi Rama pas kësaj fsheh një qëllim tjetër, sepse Edi Rama e di që gjithësecili nga ju nuk e ka mendjen vetëm të hajë, të pijë dhe të flejë gjumë, por beson tek dinjiteti, beson tek liria dhe nëpërmjet lirisë të krijojë mundësi për të ecur në rrugën e vet, duke u përballur me të keqen. Prandaj Edi Rama do që shqiptarët të largohen nga Shqipëria. Unë nuk kam njohur apo të kem lexuar një njeri i cili nga mëngjesi deri në darkë të shajë, të fyejë, të përbuzë, jo vetëm kundërshtarin politik, por çdo shqiptar që i del përpara dhe ka një mendim tjetër. Njeri i cili në çdo moment i shërben vetëm interesave të veta të pushtetit dhe nuk pyet se ç`ndodh me njerëzit”, tha Mediu.

Teksa u kërkoi votën për koalicionin “PD-Aleanca për Ndryshim”, Mediu theksoi se ky koalicion ka në programin e saj vlerësimin real të çështjes së të drejtës së pronës, rivlerësim të legjislacionit për pronën, kthim të pronës tek pronari dhe kompensim me vlerën e tregut. Mediu tha se vota nuk është pronë e asnjë partie dhe se qytetarët duhet që përmes saj të shprehin vlerat njerëzore dhe të rikthejnë besimin në qeverisjen e vendit.

“Ne kemi arritur tashmë me Partinë Demokratike të biem dakort në vlerësimin real të çështjes së të drejtës së pronës. Sot kemi një qëndrim të përbashkët, rivlerësim të legjislacionit për pronën, kthim të pronës tek pronari dhe kompensim me vlerën e tregut. Këto janë qëndrime të reja, jo të Partisë Republikane, por janë qëndrime të reja të së djathtës, duke e sjellë atë në binarët real të raporteve të drejta, sepse liria pa pronën nuk mund të funksionojë. Prandaj gjithë përpjekja jonë është që të fitojë koalicioni, por të fitojë dhe Partia Republikane bashkë me koalicionin. Është shumë e rëndësishme të votojmë për numrin 9, por të kërkojmë me bindje dhe me kurajo për të votuar për numrin 7. Pra ne nuk kemi pse të druhemi që të kërkojmë atë që është e drejta jonë. Vota nuk është pronë e asnjë partie. Vota është marrëdhënie njerëzore, është besim, është vlerësim që na japin njerëzit. Prandaj le të kërkojmë votat tona tek të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, majtas, djathtas, miq, shokë, familjarë, të gjithë të dalin dhe të votojnë ”Aleancën për Ndryshim””, tha Mediu.

SHKARKO APP