Mediu: Shqipëria brenda 4 viteve, mund të bëhet vend anëtar i BE-së por pa Ramën
Gjatë takimit me strukturat e Partisë Republikane në Fushë-Krujë, kreu Fatmir Mediu theksoi edhe njëherë rëndësinë e zgjedhjeve të 25 prillit, si moment kulminat ku Shqipëria ndahet përfundimisht nga e keqja dhe bëhet gati për t’ju bashkuar të ardhmes Europiane. Ndër të tjera, Mediu u shpreh i bindur se brenda 4 viteve, Shqipëria mund të bëhet anëtar i Bashkimit Europian, duke përshkruar rrugën se si mund të realizohet.
“Zgjedhjet e 25 prillit janë zgjedhjet me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe kombëtare, sepse do përcaktojnë përfundimisht që shqiptarët dhe Shqipëria t’i ndahen kësaj të keqe dhe për t’ju bashkuar të ardhmes Europiane. Por që të ndodhë kjo, është e rëndësishme pjesëmarrja jonë. Është e rëndësishme që ne po ashtu të komunikojmë dhe të debatojmë me njëri-tjetrin, të kemi ide të qarta se çfarë duam të ndërtojmë. Unë kam bindjen që me reforma të thella dhe me një luftë kundër krimit të organizuar, me një luftë kundër korrupsionit, duke ndërtuar institucione të fuqishme, duke bërë reforma të rëndësishme në arsim, shëndetësi apo dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm, Shqipëria brenda 4 viteve mund të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian. Ne mund të bëhemi Europianë, vetëm kur të kemi institucione, mundësi për të ndërtuar ekonominë tonë private, ekonominë tonë familjare dhe ekonominë tonë kombëtare në këtu Shqipëri”, tha në fjalën e tij Mediu.
Kreu i PR-së, në takimin në Fushë-Krujë ka prekur edhe një plagë të shoqërisë sonë siç është largimi masiv i të rinjve dhe të rejave dhe sidomos i profesionistëve nga Shqipëria. Mediu e ka konsideruar këtë gjë problem shumë të thellë në vendin tonë, si nga pikëpamja politike, por edhe nga ajo ekonomike dhe sociale.