Mediu: Të bashkohemi dhe të ndeshemi me grupet kriminale të Ramës

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu gjatë një takimi me strukturat e Njësisë nr.4 në Tiranë, tha se shqiptarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre, të bashkohen kundër varfërisë, papunësisë, korrupsionit dhe krimit të lidhur me qeverinë ”Rama 2”.

”Të bashkohemi kundër të keqes, kundër antishqiptarizmit dhe antieuropianizmit, të bashkohemi në çdo shtëpi, lagje e qendër votimi, të ndeshemi me grupet kriminale të Ramës”,-tha Mediu.

Sipas tij, 25 Prilli është dita e kthimit të Shqipërisë në rrugën Europiane. ”Është dita e përgjegjësisë kombëtare, është dita ku duhet të tregojmë qartë se Europa dhe Amerika janë aleatët tanë dhe jo Serbia dhe interesat antishqiptare. Si parti e besimit në shërbim të familjes, të së drejtës, pronës private dhe Kombit, kemi bindjen se do ndërtojmë Shqipërinë që duam, Shqipërinë Europiane”,-shtoi kreu i PR-së.

Nga ana tjetër, Mediu shtoi se PR-ja po përcakton kandidatët e saj. ”Partia Republikane si forca e dytë e së djathtës, është e angazhuar në çdo qendër votimi, për të mbrojtur votën dhe votuesit, për të bashkëpunuar me opozitën, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për të garantuar suksesin e saj politik dhe ektoral”,-mbylli fjalën e tij kreu i PR-së.

SHKARKO APP