Mehmetaj: Rama kundër BE-së, me kokëfortësi refuzon kushtet për daljen nga kriza

Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj: Kryeministri Edi Rama me arrogancë bën fajtor pikërisht liderët e BE-së për moshapjen e mundshme të negociatave

Intervistoi: Redjon Shtylla

Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, analizon tre momente të rëndësishme të vlerësuara nga Komisioni i Venecias në lidhje me Presidentin, Ilir Meta në lidhje me anullimin e 30 qershorit. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ajo thotë se: “Komisioni ka vërejtur se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, parlamenti do të duhet të miratojë legjislacion “ad hoc” për të shtyrë zgjedhjet. Komisioni thekson thirrjet e Presidentit për dialog dhe se Parlamenti duhet të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë ruajta e stabilitetit të vendit”. E pyetur sesi e ka lexuar qëndrimin e Ramës si jo optimist për mos çeljen e negociatave të Integrimit të Shqipërisë në BE, Mehmetaj thotë se kur partnerët e huaj ngrejnë shqetësime të vërteta mbi ecurinë e Shqipërisë, duke i shprehur ato si kushte në rastin e Gjermanisë, apo pengesa në rastin e Francës dhe Holandës, Rama thekson ajo, me arrogancë bën fajtor pikërisht liderët e BE-së për moshapjen e mundshme të negociatave. Sa i takon marrëveshjen së “Schengen-In Ballkanik”, Mehmetaj ka deklaruar se kryeministri Edi Rama është i gatshëm të bëj çdokënd me faj veç vetes së tij, kur vjen puna tek dështimet që i faturohen drejtpërdrejtë qeverisë së tij. “Schengen-In Ballkanik” e shoh si një kapriço çasti që disa drejtues duan ta përdorin politikisht në këto momente kritike për anëtarësimin e rajonit në BE“, ka sqaruar më tej.

Cili është komenti juaj për raportin final të Komisionit të Venecias për Presidentin Ilir Meta, pasi ka një ndryshim në opinionin përfundimtar të miratuar, krahasuar me draftin? Tejkalimin i kompetencës nga Kreu i Shtetit e përfshin shkeljen sipas jush apo është i ndryshëm nga shkelja? A e legjitimoi Komisioni 30 qershorit, apo nuk është në kompetencat e saja?

Ajo që lexohet qartë, e zeza mbi të bardhë, në deklaratën e bërë publike nga Komisioni i Venecias (i cili është lehtësisht i aksesueshëm në faqen online të KiE), është që Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk ka kryer asnjë shkelje Kushtetuese. Sa i takon “tejkalimit të kompetencave”, ka qenë vetë Komisioni i Venecias ai që ka shpjeguar se kjo nuk përbën shkelje të Kushtetutës duke e përforcuar këtë fakt me tre momente shumë të rëndësishme:

1-Kur thekson se Komisioni ka vërejtur se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, parlamenti do të duhet të miratojë legjislacion “ad hoc” për të shtyrë zgjedhjet. (Pra nuk ka shkelje të Kushtetutës por mungesë të bazës ligjore).

2-Komisioni thekson thirrjet e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë e tij se shtyrja e zgjedhjeve do të ndihmonte në ndërtimin e dialogut mes palëve dhe gjetjen e një kompromisi.

3-Komisioni thekson se Parlamenti duhet të marrë parasysh qëllimet e tjera kushtetuese, siç janë ruajta e “check and balance” dhe e stabilitetit të vendit.

Thënë këto, bëhet e qartë për këdo, se ngritja e Komisionit Hetimor ndaj Presidentit, nuk është asgjë tjetër veçse një flluskë propagandistike të cilën Edi Rama e përdori dhe vazhdon ta përdorë për të hequr vëmëndjen e shqiptarëve nga kriza e thellë politike, ekonomike dhe sociale që ka kapur vendin dhe nga “tërheqiet e veshit” që komuniteti i BE-së po i bën qeverisë në pritje të marrjes së vendimit për hapjen e negociatave. Nga ana tjetër ky vendim përfundimtar i Komisionit të Venecias, tregon dhe nivelin e lartë të papjekurisë dhe papërgjegjshmërisë së shërbëtorëve politik të Ramës, nga Taot tek ministreshat e deri tek pupacet opozitare, që shpërdorojnë një institucion si ai i Venecias për të keqinformuar qytetarët. Në lidhje me legjitimitetin e datës 30 qershor, ka folur tashmë një institucion ndërkombëtar detyra e të cilit është monitorimi i zgjedhjeve dhe ky është OSBE-ODIHR, i cili e tha qartë se 30 qershori ka rënë.

Për herë të parë, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ndihet jo optimist për atë që do të ndodhë më 18 tetor në Këshillin e Europës. Për ju, paçka se vendimmarrja e vende të BE-së nuk bëhet brenda ditës por në bazë të raporteve të mirë-përpunuara, a janë 9 kushtet e Gjermanisë thelbësorë për Shqipërinë dhe sa duhet që Shqipëria të plotësojë këto kushte?

Unë uroj që 17-18 tetori të na sjelli një përgjigje pozitive sa i takon hapjes së negociatave me BE, edhe pse “PO-ja” do të shoqërohet me kushte, prapë është një vendimmarrje e rëndësishme për shqiptarët kur e krahason me refuzimin total që artikulohet nga Franca, Holanda dhe vende të tjera. Kur dëgjoj retorikën e papërgjegjshme të Kryeministrit Rama nuk habitem nga deklaratat që vijnë nga kancelaritë apo parlamentet e vendeve të BE-së mbi mos qenien gati të Shqipërisë për të hapur negociatat.

Partnerët tanë ngrenë shqetësime të vërteta mbi ecurinë e Shqipërisë, duke i shprehur ato si kushte në rastin e Gjermanisë, apo pengesa në rastin e Francës dhe Holandës, Rama me arrogancë bën fajtor pikërisht liderët e BE-së për moshapjen e mundshme të negociatave. A thua janë ata përgjegjës për krizën politike, për mungesën e demokracisë, për krimet elektorale, për korrupsionin, për trafikun e lëndëve narkotike etj, etj.

Qytetarët shqiptarë po kalojnë nëpër vështirësi të panumërta; emigrimi i moshave të reja, mungesë e sigurisë, mungesa e punës dhe pagave dinjitoze, shëndetësia e arsimi të shkatërruara. Në këto kushte, për ne hapja e negociatave nuk është më një fitore apo humbje politike e kryeministrit të radhës, është domosdoshmëri për të rikthyer shpresën që vendi mund të marrë një drejtim të ri. Kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman janë një udhërrëfyes i shkëlqyer për të filluar daljen nga kriza por kjo kërkon mbi të gjitha angazhim nga ana e qeverisë dhe të gjithë jemi dëshmitarë të arrogancës e kokëfortësisë së Ramës që është i gatshëm të paguajë çdo çmim vetëm për të ruajtur karrigen e tij dhe paprekshmërinë që i vjen me pushtetin.

Kryeministri Edi Rama në Serbi pas takimit me Vuçiç dhe me Zaev, tha se vendet si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë pse presin BE-në, duke e sulmuar në një farë mënyre Europën për refuzimin e çeljes së negociatave. Si e shihni marrëveshjen e re mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, për “Schengen e Ballkanit Perëndimor” dhe sipas jush, çfarë synon praktikisht kjo marrëdhënie e re Rama-Vuçiç?

E përmenda edhe më sipër, Rama është i gatshëm të bëj çdokënd me faj veç vetes së tij, kur vjen puna tek dështimet që i faturohen drejtëpërdrejtë qeverisë së tij. Pasi ezauroi fajtorët vendas dhe nuk i eci të bindë shqiptarët, i është rikthyer dëlirit të tij prej lideri ballkanik dhe filloi ti kërkojë fajtorët ndërmjet liderëve të BE. Kjo sjellje është e patolerueshme në aspektin diplomatik, por nga ana tjetër kjo sjellje reflekton edhe kaosin në të cilën ndodhet vendi. Nëse Rama mendon se  “Schengen-In Ballkanik” mund ta përdorë si mjet presioni ndaj BE, le të kujtohet se ka bërë edhe më parë deklarata të ngjashme  (kujtoj rastin kur i tregonte BE se kishte edhe opsione të tjera) dhe nuk kanë funksionuar.

Nëse shqetësimi i parë që ngrihet mbi “Schengen-In Ballkanik” lidhet me një sfidë të hapur që Rama mendon se po i bën Brukselit, shqetësimi i dytë dhe shumë kryesor lidhet me pozicionin e Kosovës brenda këtij projekti. A bën sens për një kryeministër shqiptar që pas një projekti si ai i procesit të Berlinit, ku nën ombrellën e BE, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosovën uleshin të barabartë në tryezë dhe ndërmerrnin iniciativa të përbashkëta, ti kthehet një procesi tjetër më të ngushtë ku dukshëm Kosova nuk do të jetë pala kryesore?

Këto lloj aleancash ndërmjet liderësh të rrezikshëm që kanë mbjellë autokraci në vendet e tyre, as nuk përkrahen e as nuk pranohen nga partnerët tanë, ndaj më shumë se një projekt afatgjatë “Schengen-In Ballkanik” e shoh si një kapriço çasti që disa drejtues duan ta përdorin politikisht në këto momente kritike për anëtarësimin e rajonit në BE.

SHKARKO APP