Meidani: A po sulmohet Blushi sepse po troket momenti i tij?

Nga Denion Meidani/Doli Laja Rilindjes me çantën e saj “Louis Vuitton fallco” të hedhur krahë qafë. Si Laja e qëmoti doli në shtegun atë dixhital ama këtë herë me “çorape leshi e këmbale burrash” për t’i treguar vendin të “deklasuarit” që po shkëputet nga vatha e rilindjes, këtij armiku socialist më të fundit që po nxjerr lakuriq sektin e tyre të kamufluar si parti.

Doli e na tha që Blushi ky socialist i vjetër 24 karat, por dhe të ngjashëm me të nuk vlejnë më. E gjykoi me kutin e pamëshirshëm të sektit dhe tha se mirë bëri që iku. Fundja nuk ka vend në partinë e rilindjes për kontribut intelektual e integritet, shkollim ekselence e talent. Atyre i mjaftojnë “talentet” e tyre rilindëse të hipokrizisë, mashtrimit e gënjeshtrës, zhgarravitjes, zhvatjes e zhveshjes të çdo gjëje e çdo kujt. E gjykoi dhe vlerësoi Laja e ndritur, e na tregoi, për më tepër, se eksperienca e tij në parti, qeveri e politikë nuk i hynë në punë kurrkujt se natyrish tek sekti tyre kërkohen standarde e profesionistë si ata që tallej dikur Dritëroi në kuadër të shkërdhatokracisë, apo ai lloji i socialistëve-specialistë në pagëzimin e dikurshëm të Pjetër Arbnorit.

Ajo, more shokë, thjesht është kapaku i kazanit të madh, por tashmë dhe një tjetër kosh rilindës me emër sipër. Armiku i partisë Blushi, që ka guxuar të demaskojë dhe t’i largohet vijës së partisë do të presë e përcjellë shumë nga këto sulme personale, mediokre, servile e hipokrite.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kam lexuar kohë më parë disa shënime të veçanta (që desh morën në qafë Kadarenë), në një ditar të Enver Hoxhës. Po të përsëriteshin fjalët e tij të asaj kohe, edhe për këta të sotmit, edhe ky Blushi “more shokë është shprehur pa dorashka e ka hedhur ide anti-rilindëse, anti-komformiste, anti-parti, dhe flet hapur kundër rendit rilindës në vendin tonë”. Blushi na paralajmëroi i pari, sidomos me fjalimet e tij të fundit në kuvend, për funeralin e rilindjes, se regjimi i sektit përkatës është duke shkuar në varr, ka marrë ujë, madje është prishur nga themelet. Pra, sipas tij, kupola, polit-byroja e rilindjes është kalbur, kurse në bazë pinjollët dhe të përzgjedhurit e tyre po rriten si tumor i zi. Por, të gjitha këta pohime dhe mjaft teza politike pozitive të Blushit, në ditarët e tyre komunistë janë thjesht pasqyrim paqartësie, pakënaqësie e xhelozie, dhe, për më tepër janë manifestime deformimesh konceptore deri teorish revizioniste, denigruese, sabotuese, dhe anti-socialisto-rilindëse.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ky “shkrimtar borgjez”, do të thoshte Hoxha, po atakon gjithë ngrehinën e rilindjes në vendin tonë, gjithë direktivat e Partisë-Shtet, gjithë politikën e strukturës dhe të superstrukturës. I gjithë qëndrimi e tij, që për kta struca rilindas, është një blof i madh që bëhet me qëllim për të mbuluar kalbëzimin, kleptokracinë, abuzivizmin e burokracinë e vetes dhe grupimit të tij, pse jo dhe të partisë që mund të krijojë së shpejti! Me keqardhje ky “poet korbash”, siç do e quante atë Enveri e Lajat e tij, na thotë se rruspa, topa, himne, teatro e valle ka plot kundër opozitës e armiqve të brendshëm por kundër krenaristëve, tenderistëve e kanabistëve s’ka derman. Me fjalë të tjera s’ka ngel më parti në skenë që të luftojë shkërdhatokracinë në aktin e saj të dytë dhe të gjithë evolucionin e mëtejshëm. Prandaj dhe Blushi nuk dorëzohet dhe nuk ka pse të dorëzohet! Sipas tij, do të përfundojë në gërmadhë edhe socializmi-rilindës tek ne dhe vakumin e krijuar majtas mund ta mbushi vetëm një forcë e re e mbushur me shpresë, e papërlyer larg pazareve dhe këtë predikim ai po e bën në prozë, në ekrane e podiume plot guxim e vendosmëri. Për këtë “shkrimtar reaksionar” rendi i tyre rilindës është një rend fashist dhe ai na ka paralajmëruar se ata i kanë duart të lyera deri në bërryl me llum, bar e korrupsion. Të gjithë këta përbindësha të veshur “si pashallarë të kuq” me petka, këpucë e kollare tepër të shtrenjta, me portofola e çanta firmato plot e për plot, kanë zaptuar zyrat, ministritë, kryeministrinë, landfille, arat e fushat me kanabis dhe po e çojnë demokracinë dhe progresin me ceremoni drejt  varrosjes.

Por, shokë të dashur, Laja na paralajmëroi se filozofia e predikimi i këtij “shkrimtari reaksionar” është false, për përfitime personale dhe aspak në funksion të zhvillimit demokratik apo për interesa qytetare, siç deklaron ai. Pra, është e qartë për Lajën dhe sekt-partinë e saj, se ky element është mjaft i rrezikshëm. Ai, në vetvete, me pozicionimin e tij, është kundër revolucionit të tyre mavi, është kundër reformave-luftë, është kundër diktaturës së proletarëve rilindës, kundër dhunës e shtypjes së armiqve të klasës, dhe  çfarë është më e keqja është kundër  babait të tyre shpirtëror.

Siç pohoi ajo, e udhëzuar nga sipër me siguri, këtë vepër armiqësore ai e ka projektuar dhe e bazon sot tek mjaft përpjekje populiste, deri duke përfituar nga goditjet e tmerrshme, që Partia u bëri armiqve të klasës, si ata të këputurit që na vidhnin energji, mbanin frymën me një palo biznes apo dhe refuzonin të mbillnin apo punonin arave të kanabisit të partisë. Ai more shoke po mbështetet tek ata tradhtarë të demaskuar brenda partisë e në radhët e koalicionit e më gjërë. Ai, bashkë me shokë e shoqe “diversantë”, që ishin kamufluar e kanë luftuar që në ditët e para të lindjes saj vetë rilindjen dhe “feniksin” e saj. Laja, duke u bazuar në analiza marksiste-leniniste mbi këto ngjarje, ajo dhe sigurisht udhëheqja e ngushtë e Partisë kanë arritur në përfundimin se duhen demaskuar ashpër të degjeneruarit, armiqtë e tradhtarët, që pikërisht kishin depërtuar deri në çatinë e partisë, për të mos lejuar penetrimin kurrsesi në bazën e saj. Ky “shkrimtar i lig”, i “fshehur mbas maskës” së tij, po “reciton broçkulla”, sipas saj, për të atakuar Partinë, apo dhe vetë bazën e rilindjes, që është e fortë si çeliku  dhe ndjek e zbaton një rrugë të drejtë të palëkundshme rilindëse nën mësimet e lavdishme të shokut Edvin.

Na jep Sherr-Laja shembuj se si në kohë të mëparshme, lufta e tij për rikthim në pushtet apo sakrifica opozitare rilindëse ka qenë e zbehtë, e shpëlarë. Roli i tij, sipas sektit me gojën e saj, nuk ka qenë në vërtetësinë dhe në hovin e tij madhështor të keqparaqitur nga mediat që e mbështesin. Madje, ajo demaskon se ai as në detyrat e tij në Parti e Qeveri dikur nuk ka qenë i vërtetë dhe i sinqertë; por thjesht i motivuar nga interesa personale e ekonomike, edhe pse ne e dimë që një “virtyt” i tillë është nga më të vlerësuarit në rilindje, edhe pse shumë shpesh në heshtje. Shoqja Laja na ka paralajmëruar se në shkrimet e tij janë të theksuara tablo makabër, të cilave u jep rëndësi dhe i përsërit, u jep rëndësi banditëve të ricikluar, vagabondëve dhe vetë vagabondazhit, edhe pse këto kanë qenë e janë prurja më e arrirë e rilindjes. Të tjerë rilindës, bile dhe “Mesija” e tyre, ndryshe nga Laja, e kanë pranuar ama se ka talent ky Blushi se ai shkruan bukur, ka “turnyra” dhe imazhe të gjalla, ka ide të prekshme, pozicionime dhe shtjellime me përmbajtje filozofike. Por ama liderit suprem nuk i pëlqen që ai, në mes këtyre ideve e pozicionimeve, fut edhe figura dhe qëndrime të hidhura që tregojnë një botëkuptim të tij të veçantë, jo komformist e tepër kundërshtues. Aq më tepër që ai as nuk po e përqafon as nuk po pranon të përlyhet në atë “ferr-kuptimin”  kanceroz rilindës. Enveri do thoshte dje, sic po na thotë udhëheqja rilindëse sot, se kur ai shkruan, më tepër një borgjez se rilindës, ai nuk e mendon më parë shërbimin për rilindjen, bile përkundrazi; aq më pak detyrën e partisë (sektit) për edukimin e publikut sidomos atij socialist-rilindës drejt bindjes e përkuljes ndaj udhëheqjes si bari ndaj erës. Por ama që po botohet e pëlqehet është fakt dhe kjo ndodh sepse dihet që kësaj dynjaje i pëlqejnë të dijë mbi disa gjëra e perversitete, që s’janë në grupimin e tyre aq transparente, dhe duke i nxjerrë ato në dritën për diell ai po bën mëkatin më të madh kundër partisë-sekt të tyre. Laja na la të kuptojë që atij i është rritur mëndja, se ata botuesit borgjezë i shtypin disa romane, dhe mediat (këto kazanë sipas Ramës), po e përkrahin dhe për këtë ai do të vazhdojë dhe po përpiqet të mbajë skemën e asaj bote e të prodhojë “rima pa qellim”. Por Sherr-Laja qëllime të tilla as nuk i kupton, as nuk i pranon. Gabimi i vetëm i Lajës, për të cilin mbase dhe do të kritikohet rëndë nga kupola, mbetet fakti që ajo nuk bëri thirrje që shkrimtarët e poetët e vërtetë rilindës të ngrihen e të çastisin sa më shumë vargje e romane në shërbim të sektit, me qellim të madh për të rivalizuar e minimizuar këtë rebel sa nuk është vonë.

Rilindja ka folur në forume e në Parti për punët që kanë shkuar si “ters”, por jo në shtyp, jo hapur. Madje, sipas letrave të reja të kupolës, nuk duhet të diskutohen punët e partisë e të familjes politike, aq më tepër të sektit. Madje, dhe kur boton libra me objektiva politikë! Ai me një libër e dy do që të çajë i pari në këtë rrugë dhe çfarë të çarë sikur nuk dinte ta bënte Partia këtë gjë! Por, me sa duket, Laja ka të drejte kur pohon se Blushi, për ambicie të vetën, dhe jo pa qëllim, ka marrë të vërtetat, që i ka thënë Partia madje i ka diskutuarhapur në mbledhje të mbyllura, dhe me to ka shkruar romane e ka fituar audiencë e kredo politike.

Si ky o Laje mund të ketë dhe të tjerë, madje pse jo gjithë ata njerëzit e kulturës, që kanë mbetur akoma brenda radhëve të partisë (por jashtë sektit!). Të mos harrojmë, moj çupë, do ju thoshte Hoxha juaj, se ndër ta mund të lindin prapë dhe barëra të këqija. Nuk duhen lënë të trashet kërcelli i këtyre barërave të këqija, duhet t’i priten e shkulen para së të shpërndahet fara e keqe, që mbyt grurin e shëndoshë. Pikërisht, këta elementë duhen edukuar ose larguar me këtë lloj kritike marksistë-leninistë si e Lajes, sa të mos jetë vonë, për të mos lejuar pushtimin e turmave e kryqëzimin e ndonjë “enuku” rilindës në bulevardin e madh!…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?