Mero Baze: Fshatrat janë boshatisur. Është dramë, nuk ka njerëz të gjallë në Jug. Kemi një rini pa motiv, që do fitim në çast
Gazetari Mero Baze, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv për të folur për librin e tij të parë me poezi “Shi me baltë”, ku foli edhe për Jugun e Shqipërisë, zonën nga vjen. Ai u shpreh ashpër për politikat e gabuara qeverisëse për jugun, që e kanë shpopulluar atë dhe u shpreh pesimist për ringjalljen e tij.
“Jugu është një nga vendet pa të cilat Shqipëria nuk do të ekzistonte. Është i braktisur, shërben për mitin e turizmit në jug, por nuk ka njerëz. Fshatrat janë boshatisur, nuk ka më njerëz. Është dramë, nuk ka njerëz të gjallë. Nuk shikoj një vështrim kapilar se si mund të ngjallet, si mund të ripopullohet. Ka nevojë për politika njerezore, ka nevojë për qeveritarë që duhet ta dinë ç’është fshati, jo për ministra që e dinë se qumështin e bën dyqani dhe jo lopa.
Nuk mund të mbahet si muze i historisë se këtu lindi Kadareja, Ismail Qemali. Jugu duhet të jetë pjesë vitale. Duhet bërë me politika të qarta si Greqia bëri Greqinë e veriut. Politika e financinimit të kthimit të njerëzve duhet të jenë konkrete. Politikat që bëhen në jug janë kolonialiste. Në bregdet investohen miliarda, por jo në fshtara. Në bregdet investohet për turizmin, që ka nevojë për emigrantë.
Jugun e mbajnë fshatrat, se një qytet ka patur, Gjirokastrën.
Nuk duhet bërë si fshatrat socialistë duke bërë rrugën, ujësjellësin dhe kaq. Unë u ktheva në fshat në 2014. Nga tetë tufa bagëtish sot është vetëm një. Është shkatërruar blegtoria nga politikat e financimit se i bënë me garë në e-albania, që është korruptive dhe këta që humbin falimentojnë dhe ikin nga fshati. Ka politika jokorrekte për ata që kthehen në fshat. Komplikimi i lejeve për ndërtime në fshat është sikur të merrte leje Çet Kastrati në Tiranë. Fshatari nuk ka nevojë që të shkojë në Greqi, se këtu realisht fitohet më shumë se në Greqi, pro qeveria duhet të ndihmojë fshatarin në bujqësi, blegtori dhe banesë.
Drama e fshatit është dramë qeverisëse. Nuk ka lidhje me lëvizjen jashtë, por ai do politika të qarta”-tha Baze.
I pyetur nga Ylli Rakipi se si e mendon të ardhmen e Shqipërisë, Baze u shfaq pesimist.
“E ardhmja prodhohet sot. Ata që e prodhojnë, janë fëmijët tanë, fëmijët e tyre ndaj jam i trishtuar për të ardhmen. Po të merrja vetëm profesionin tonë, kemi armatë të tërë gazetarësh, që nuk lexojnë më, janë njerëz teknikë që mendojnë se duhet të shkruajnë ca fjalë, njerëz që mendojnë se punët do t’i bëjë inteligjenca artificiale. Një brez që rritet pa motivim real për punët e vërteta.
Është si psojë e politikave por edhe edukata për fitimin e shpejtë, jetën e bukur luksoze. Ka shumë dilema për zhvillimin e vendit nëse nuk do të ketë krizë të fortë. I vetmi fat do të ishte futja në një cikël krize të fortë. Ne kemi përjetuar përmbysjen e tranzicioni dhe kemi një dozë realizimi për jetën, mendoj se edukata më e mirë do të jetë një krizë ku brezi i ri do të kuptojë se çfarë do të thotë të jetosh dhe mbijetosh. Është një lloj kasandre por nuk ka mënyrë tjetër se si t’ju flasësh dhe të kuptojnë se jeta nuk është ajo që mendojnë”, tha Baze.