Mesazhet e SHBA-së dhe Britanisë për kaosin në Parlament, Gjekmarkaj: PS të reflektojë
Mesazhet e dhëna nga Ambasada e SHBA-së dhe e Britanisë së Madhe, flasin për shqetësim sesi po zhvillon punimet Kuvendi i Shqipërisë, ku dje u ndez edhe flaka. Për këto qëndrime, nënkryetari i Kuvendit, deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj, thekson se një Parlament që nuk respekton të drejtat e opozitës, humb funksionimin normal të tij. Ai i bën thirrje kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe mazhorancës që të reflektojnë.
Postimi i plotë
Përshëndes deklaratat konstruktive të partnerëve tanë strategjik SHBA-Britani e Madhe, për dialog konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës. Me përgjegjësinë ndaj interesit të qytetarëve prej më shumë se një muaj, opozita kërkon kthimin në normalitet të Parlamentit dhe funksionimin e plotë të tij, duke respektuar të drejtat kushtetuese të opozitës.
Një parlament që nuk respekton të drejtat e opozitës, humb funksionimin normal të tij, duke mohuar ushtrimin e përgjegjësisë për mbikëqyrjen demokratike të qeverisë. Është e papranueshme për një vend demokratik që dialogu konstruktiv mes palëve të zëvendësohet me shndërrimin e sallës së parlamentit në repart gardist, për të shuar me forca sigurie zërin e opozitës për të drejtat e saj.
Me besimin e plotë se funksionimi normal i Parlamentit kërkon mbi të gjitha respektimin e opozitës, i bëj thirrje Kryetares së Kuvendit dhe mazhorancës të reflektojnë dhe ti krijojnë opozitës mundësinë për të ushtruar e qetë të drejtat e saj kushtetuese në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Ngritja e Komisioneve Hetimore dhe heqja dorë nga emërimi i opozitës, janë parakushte për një Shqipëri të denjë për të qenë anëtare e NATO-s dhe vend kandidat në BE.
Lexo edhe https://kohajone.com/tym-e-flake-ne-parlament-ambasada-e-shba-se-duhet-dialog-midis-perfaqesueseve/