Mesazhi i Ramës nga koncerti madhështor në shesh: Shqipëria e ka vendin e saj nën qiellin e Europës së bashkuar

Në sheshin ”Skëndërbej” po mbahet koncerti madhështor për 100-vjetorin e lidhjes diplomatike me SHBA-në, si edhe për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Mes mesazheve nga liderët botërorë, një mesazh e dha edhe kryeministri Edi Rama. Ai tha se Shqipëria e ka vendin e saj nën qiellin e Europës së bashkuar. ”Shqipëria në krye të OSBE, Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ne tryezën e negociatave për anëtarësim, Shqipëria bazë ajrorë dhe së shpejti edhe bazë detare e NATO-s, Shqipëria në krye të procesit të transformimit të rajonit nga një zonë lufte e konfliktesh, në një zone paqeje e zhvillimi ekonomik, të gjitha këto zhvillime të këtyre viteve më të fundit, që jo prindërit e gjyshërit tanë, po as shumëkush prej nesh as që i imagjinonte dot deri para disa vitesh, kur Shqipëria kishte humbur busullën dhe çdo dinjitet ndërkombëtar”,-tha Rama.

Mesazhi i plotë

Çfarë dite! Çfarë mbrëmje! Një shekull më parë, në 28 korrik të vitit 1922, Shqipëria u lidh me Shtetet e Bashkuara, nëntë ditë më parë rruga e Shqipërisë u lidh zyrtarisht, pa kthim, me atë të Europës së mohuar me shekuj!

Imagjinojeni vetëm për një çast motra dhe vëllezër, vetëm për një çast: As prindërit tanë, as gjyshërit tanë, as stërgjyshërit e katragjyshërit tanë, asnjëherë shqiptarët përpara nesh nuk e patën fatin dhe mundësinë tonë! Fatin dhe mundësinë e zgjedhjes së lirë të destinacionit të tyre, edhe pse, qysh prej Gjergj Kastriotit ëndrra e vrarë, e plagosur, e dhunuar, e mohuar, e të tërë brezave para nesh vinte nga dielli që lind andej nga perëndon! Ata mbijetuan në tatëpjetat e perandorive dhe regjimeve që nuk i zgjodhën vetë, ndërsa ne kemi fatin dhe mundësinë të jetojmë në të përpjetën drejt majës ku Shqipëria e ka vendin e saj natyral, nën qiellin e Europës së Bashkuar.

Nisja zyrtare e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian është vetëm fundi i fillimit të një rruge tejet sfiduese, por të duhur, të lodhshme, por të bukur, të gjatë, por aspak të vetmuar. Nga vendi më i vetmuar, më i prapambetur, me i varfër i kontinentit, ne sot, jemi jo ku e ku më të zhvilluar e më pak të varfër se sa vetëm tre dekada më parë, po jemi më shumë se asnjëherë më parë në këto tre dekada, të mbrojtur nga çdo rrezik, në mes të dy aleatëve tanë të mëdhenj strategjike, SHBA e BE, dhe të respektuar nga çdokush në arenën ndërkombëtare, si një vend i vogël, por me karakter dhe dinjitet.

Shqipëria në krye të OSBE, Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ne tryezën e negociatave për anëtarësim, Shqipëria bazë ajrorë dhe së shpejti edhe bazë detare e NATO-s, Shqipëria në krye të procesit të transformimit të rajonit nga një zonë lufte e konfliktesh, në një zone paqeje e zhvillimi ekonomik, të gjitha këto zhvillime të këtyre viteve më të fundit, që jo prindërit e gjyshërit tanë, po as shumëkush prej nesh as që i imagjinonte dot deri para disa vitesh, kur Shqipëria kishte humbur busullën dhe çdo dinjitet ndërkombëtar!

Po sigurisht, në rrugën për të ardhur deri këtu, përveç rolit tonë vendimtar në këto vite, ka pasur edhe plot kontributorë të tjerë, duke nisur nga ata që dolën në rrugë me thirrjen, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, deri tek çdokush që e vendosi një gur në këtë mur që kemi ngritur gjer më sot me mund e me durim të madh e mbi të gjitha me vizion të qartë për Shqipërinë. Por lartësia ku e kemi ngjitur sot Shqipërinë, na tregon edhe se sa poshtë ishim kur u nisëm, po edhe se sa rrugë e përpjekje ka akoma për të arritur majën e ëndërruar për 500 vjet me radhë.

Kini besim! Kini besim motra e vëllezër se ajo majë do të jetë e jona, sepse e jona është barra që historia na caktoi për ta ngjitur flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në atë majë, i yni është misioni i garantimit të pakthyeshmërisë së rrugës së modernizimit të Shqipërisë, tonat janë edhe dhimbjet e kësaj të përpjete, ku rrëshqitjet e rrëzimet janë të pashmangshme, po ku i pashmangshëm është edhe triumfi i drejtësisë!

Ndjehuni mirë sonte, ndjehuni mirë çdo ditë më tutje, sepse më e fortë Shqipëria s’ka qenë kurrë, më të fortë se sot shqiptarët në Shqipëri e në këtë rajon s’kanë qenë kurrë, falë pa diskutim edhe dy kokave të shqiponjës së miqësive tona, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Ndjehuni të sigurt në të ardhmen dhe të motivuar të punojmë çdo ditë e më shumë që ajo të bëhet sa më parë e sotmja e Shqipërisë së fëmijëve tanë! Dhe mbi të gjitha ndjehuni krenarë për Shqipërinë dhe për flamurin më të bukur në botë, sepse sot flamuri ynë është në mes dy të tjerëve, që janë mishërimi i lirisë, i demokracisë dhe i fuqisë për të shkuar çdo ditë të sigurt përpara!

Zoti i bekoftë këta flamuj! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo janë!

SHKARKO APP