Mesazhi i Ramës për Kosovën censurohet nga televizionet serbe

 

“Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm rajonal dhe europian, që duhet respektuar. Pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të sigurtë dhe çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti, është i mirëpritur prej nesh”-tha Rama në fjalën e tij.

Por kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç e ka cilësuar Kosovën një temë për të cilën nuk duhej folur në këtë takim dhe deklaratën e Ramës një provokim. “Së pari, nuk ka qenë në dëshirën time të flitej për Kosovën. Ky është një provokim dhe nuk e prisja këtë nga kryeministri Rama, pasi nuk do t’ia lejoj askujt që të ulë Serbinë në mes të Beogradit”,-tha Vuçiç.

Kryeministri Rama e ka vazhduar replikën, duke kërkuar që qëndrimet e kundërta mes dy vendeve të ballafaqohen hapur. “Kjo s’na pengon t’ia themi njeri-tjetrit në sy atë që mendojmë dhe që të bashkëpunojmë. Sa më seriozë të jemi, aq më seriozisht do na marrë edhe Europa”-shtoi më tej Rama.

Por homologu i tij serb tha se qëndrimi ndaj Kosovës është i pandryshueshëm për Serbinë. “Kosova është pjesë e Serbisë. Por është e bukur që të flasim, dhe t’ia themi njëri-tjetrit sy më sy se çfarë mendojmë”,-u përgjigj Vuçiç.

Fjala e Ramës për Kosovën nuk u përkthye gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, e rrjedhimisht nuk u pasqyrua nga mediat serbe.

Një tjetër mesazh i rëndësishëm i kryeministrit shqiptar në Beograd ishte ai për shqiptarët që jetojnë në luginën e Preshevës. Rama i bëri thirrje gjeneratës së re që sipas tij drejton Serbinë që të respektojë të drejtat e shqiptarëve të Preshevës si një urë me rëndësi strategjigje bashkëpunimi mes dy vendeve.

Përtej deklaratave “miqësore” për bashkëpunim politik dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Serbisë, konferenca e përbashkët për shtyp Rama-Vuçiç reflektoi hapur marrëdhëniet e tensionuara që ziejnë prej dekadash mes dy vendeve. Një tjetër pikë e nxehtë e konferencës së përbashkët për shtyp ishte edhe incidenti i ndodhur më 14 Tetor në stadiumin e Beogradit.

Kryeministri serb dënoi incidentin e dronit në stadiumin e Beogradit, duke e cilësuar atë një provokim që do të ndëshkohet. Po ai preferoi t’i shmangej pyetjes rreth akuzave që u ngritën në fillim për vëllanë e kryeministrit, Olsi Rama.

Të dy kryeministrat u fokusuan tek e ardhmja europiane në fjalën e tyre, duke përmendur komunikimin si faktor për shkrirjen e akujve.

Kryeministri serb, Vuçiç kur tha se problemet mes dy vendeve mund të zgjidhen me komunikim. “Sot edhe në Shqipëri, edhe në Serbi është shumë e lehtë të ngrihen tensione shovisniste, sepse kjo sjell edhe pikë politke, por unë kam zgjedhur të sjell mendime demokratike, të mendoj për zhvillimin e Serbisë përsa i përket ekonomisë dhe integrimit në BE”,-tha Vuçiç në fjalën e tij.

Ndërsa Rama tha se ai dhe shqiptarët shtrijnë dorën për një bashkëpunim të sinqertë në të ardhmen mes Shqipërisë dhe Serbisë. Por përtej mesazheve të fillimit, në fund të konferencës për shtyp mungoi shtrëngimi i duarve mes dy kryeministrave.

Reporteri.al

SHKARKO APP