Mesila Doda i përgjigjet Palokës: Hapjen e dosjeve s’duhet t’ua lëmë enveristëve
Ajo thotë se iniciativën e hapjes së dosjeve nuk duhet t’ia lënë atyre që ngrejnë portretet e Enver Hoxhës.
“E para, debate të tilla nuk kanë asnjë vlerë për sa na zhvendosin nga thelbi. Thelbi është që ky ligj do të duhet të funksionojë me të gjitha mënyrat dhe me të gjitha kushtet sepse është një iniciativë e mirë, mbi të gjitha për shqiptarët, por edhe për të djathtën. E dyta, më lejoni të mos komentoj mbi komentet e të tjerëve sepse nuk ka asnjë vlerë të komentoj mbi to.
Një nga gjerat e mira që do të bëjë ky ligj është se do të sjellë një mentalitet të ri mes politikanëve shqiptarë dhe gjuha e përdorur të jeta ajo e një mentaliteti më të madh. Besoj që një gjuhë me e dashur me njëri tjetrin do të na bënte mirë. Mbi të gjitha, të hapim sytë dhe të shohim të vërtetën. Ne jemi klasa që kemi ardhur nga një përmbysje e madhe e diktaturës komuniste dhe nuk duhet të lëmë që këto duhet të jenë iniciativa që i marrin njerëzit, të cilët po promovojnë figurën e Enver Hoxhës. Kjo është një përgjegjësi shumë e madhe e jona dhe të gjitha palët duhet ta marrin këtë përgjegjësi”, shprehet ajo për TCH.
Ndërkohë, Doda ka komentuar edhe mundësinë e ndonjë mase ndëshkuese nga ana e PD-së, duke qenë se ka thënë që do të shkojë në Kuvend për këtë ligj, edhe pse PD e ka bojkotuar këtë të fundit.
“Po flasim për një ligj që ka lidhje me kohën e diktaturës dhe për të folur për një mentalitet kundër diktaturës. Nuk po flasim për të nxitur mënyra të reja komportimi (sjelljeje) të cilat nuk kanë lidhje me vitin 2014, të paktën jo mes demokratëve. Unë kam treguar gjithmonë një dimension lirie në jetën time, që në moshën 20-vjeçare.
Një njeri që me të mbushur të 20-at futet në një grevë urie kundër Enver Hoxhës, dhe në atë rast kam qenë bashkë me shumë kolegë të mi që janë sot në grupin parlamentar. Nuk ka përse të kenë frikë në vitin 2014, duke bërë një punë të cilën demokratët e përgëzojnë nga mëngjesi e deri në darkë. Jam zëri i tyre, u kam premtuar përpara 4 vjetësh se do të merrem deri në fund me këtë proces e me këtë ligj. Do të vazhdoj të mbetem pranë tyre me të gjitha mënyrat. Tek e fundit, herët apo vonë, veprimet pozitive vlerësohen”, tha ajo./