Mësuesit, të premten protestë para MAS. Lama: ‘Stop’ paligjshmërisë e presionit për vendin e punës
“Motoja jonë është: ‘Të protestojmë për të vendosur dialogun e munguar, dinjitetin e cenuar dhe për të ndalur pazbatueshmërinë e ligjit në institucionet e edukimit! Shpërblimi i fundvitit nuk e shpërblen asnjëherë punën e përkushtuar të mësueseve në arsimin parauniversitar, por ne protestojmë me të drejtën sindikale që të bëhemi pjesë e reagimit publik, për të kërkuar respektimin e të drejtave tona profesionale të mohuara këto vite. Ne arsimojmë fëmijë për të zhvilluar kombin, por edhe punojmë për të ndërtuar imazhin e një profesionisti fisnik. Ndaj, kërkojmë me zërin e arsyes dhe të respektit për të drejtën sindikale, të na plotësohen kërkesat tonë legjitime. Ne duhet t’i japim fund paligjshmërisë. Të ndalim një herë e mirë udhëzimet verbale. Të jetojmë dhe punojnë duke vrarë frikën se mund të humbasin vendin e punës, kur kërkojmë të drejtat tona legjitime. Me këtë protestë duam t’i themi ‘stop’ paligjshmërisë”, thekson Alma Lama, kryetarja e Sindikatës së Pavarur të Arsimit për Tiranën.
Sipas saj, disa nga arsyet përse arsimtarët do të protestojnë, janë: mungesa e transparencës dhe llogaridhënia. Mungesa e dialogut dhe dëshira për të zgjidhur probleme që shqetësojnë mësuesit. Nuk respektohet kontrata kolektive. Nuk zbatohet normat e punës.
“Brenda Tiranës mësuesit punojnë me dy standarde sa i përket normës mësimore. Klasa kujdestarisë barasvlerësohet me 2 orë mësimore, orët mbi normë duhet të paguhen si suplementare. Orët në ditët e pushimit për veprimtari të DAR/ZA paguhen sipas nenit 91,3 e Kodit të punës. Rritja vjetore e pagës, jo më e ulët se përqindja zyrtare e inflacionit në vend. Shkolla komunitare si pjesë e reformës së re ‘mban 10 orë të ngrira’ dhe mësuesit duhet të dalin pasdite në punë, edhe kjo si punë e papaguar. Këto janë arsye shumë të forta për të protestuar dhe kthyer dialogun dhe vëmendjen e armatës së mësueseve. Meritojmë respekt dhe dinjitet. Mësuesit e dinë më mirë se politika se çfarë është më e mirë për edukimin cilësor”, – theksoi Lama.
KËRKESAT E SINDIKATËS SË ARSIMIT
1. Pagesën e transportit të mësuesve, duke llogaritur largësinë e vendit të punës nga qendra e njësisë administrative ku ata banojnë.
2. Pagesën e orëve mbi normë, pagesën e provimeve të fundit të maturës shtetërore dhe provimeve të lirimit për të gjithë mësuesit.
3. Shpërblimin prej 10 mijë lekësh për çdo mësues në fund të vitit, si detyrim ligjor që rrjedh nga Kodi i Punës, neni 114 pika 2 dhe neni 10.11 i Kontratës Kolektive të Punës.
/GSh
KOHA JONË SONDAZH

