Meta ankimim në Kushtetuese: Vendimet e 3 gjykatave janë antikushtetuese

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dorëzuar një ankim në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Lartë që la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Në dokumentin e përgatitur nga avokatët Kujtim Cakrani dhe Dylejman Karaj, Meta kërkon rrëzimin si antikushtetues të vendimeve të tre shkallëve të gjyqësorit, duke argumentuar se ato bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas padisë, Meta pretendon se ndodhet në burg pa një akt formal akuze dhe se arrestimi i tij është shoqëruar me shkelje të rënda procedurale dhe dhunë fizike nga forcat speciale të Policisë. Ai deklaron se në momentin e ndalimit nuk iu paraqit asnjë dokument zyrtar, nuk u njoftua për arsyen e ndalimit dhe nuk iu garantua e drejta për prani të menjëhershme të avokatit.

Gjithashtu, në kërkesën drejtuar Kushtetueses thuhet se avokati i tij është informuar vetëm nëpërmjet mediave për ndalimin, ndërsa familjarët nuk janë kontaktuar fare nga autoritetet. Meta e cilëson arrestimin si një “operacion të dhunshëm publik”, që sipas tij kishte qëllime politike dhe synonte poshtërimin publik të një ish-presidenti të Republikës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një tjetër argument i ngritur në ankim lidhet me pavarësinë e trupës gjyqësore. Sipas Metës, gjyqtarët që kanë shqyrtuar çështjen e tij janë subjekt i mbikëqyrjes nga SPAK dhe BKH, çka – sipas tij – ndikon drejtpërdrejt në paanshmërinë dhe vendimmarrjen e tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Meta i kërkon Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin si antikushtetues të:

Vendimit të Gjykatës së Lartë, datë 27.02.2025;

Vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, datë 19.11.2024;

Vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Posaçme, datë 20.10.2024 dhe 23.10.2024.

Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej 21 tetorit 2024 dhe përballet me një hetim penal të drejtuar nga SPAK për çështje që lidhen me korrupsionin dhe pasurimin e paligjshëm.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?