Meta: Basha i shërbeu Ramës për kapjen e shtetit, bëri dopio lojë për marrëveshjen e detit me Greqinë

Presidenti Ilir Meta ka lëshuar akuza të forta ndaj Lulzim Bashës, duke thënë se nuk ka bërë asnjë lëvizje për Reformën në Drejtësi, dhe se për të kryeministri Edi Rama e ka kapur në formë antikushtetuese.

“Ai flet dhe në emër të Monës. Mona dogji mandatet. Ky është një shërbim, siç ka bërë gjithë këtë periudhë, një shërbim që ka bërë për kapjen totale të shtetit. Kjo është shumë e qartë, sidomos me reformën në drejtësi, bojkotin që e ka bërë. Qëndrimet që nuk i mori kurrë. Njëherë e shpëtova PD-në nga lojrat që bënte ky, dhe ata që donin ta ndanin në dy parti. Bënë ato lojrat kush janë pro dhe kundra reformës. Rama donte ta kapte me Kushtetutë. Ky zotëria e ka ndihmuar dhe i vetmi proces që nuk ishte i thjeshtë për mua, ka qenë kur ky ka dalë pozitivë, ka qenë atë ditë që ndërpreva seancën. Ata që do votonin do quheshin pro reformës, ndërsa ata që nuk donin, do ishin anti-reformë. Një javë para se të mbaronte mandati i prokurorit Llalla e thërrita dhe i thashë që këtu po bëhet një lojë, dhe po bëhet fakt i kryer se do zgjidhet një prokuror dhe të kapet sistemi i drejtësisë. I thashë bëhuni bashkë si opozitë, propozoni për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm që të ketë një zgjedhje me standarte”, tha Meta në “Abc News”.

Një tjetër akuzë ndaj Bashës, Meta e ka lidhur dhe me marrëveshjen me detin me Greqinë në vitin 2008 kur Basha ishte Ministër i Jashtëm.

“Është një person, nuk e kam thënë më parë, mban përgjegjësi të veçantë për lojën që bëri me marrëveshjen e detit me Greqinë. Pasi ishte Ministër i Jashtëm dhe ishte përgjegjësi e tij që ajo marrëveshje të bëhej me Kushtetutë. Dhe jo të shmangte Presidentin për të bërë dopio lojë, nga njëra anë bëri sikur e firmosi. Ky qëndrim i tij në raport me Marrëveshjen e Detit ka patur implikime shumë serioze në raport me shtetin shqiptar. Këtë e them për herë të parë dhe nuk dua ta zgjas me tej. Ky zotëria (Lulzim Basha) nuk mund të justifikohet për të gjitha thikat që i ka futur shtetit shqiptar. Në kohën kur ai ishte ministër i jashtëm ai anashkaloi Kryeministrin për çështjen e detit. Dhe po e them këtë per here te pare sepse po abuzohet me këtë çështje”.

SHKARKO APP