Meta: Biznesi fason, ka sjellë efekte mjaft pozitive

Fillimisht, Kryetari i Kuvendit, u ndal në sipërmarrjen fason në pronësi të shtesave italianë Francesco dhe Luciano Meini. Ky biznes që ushtron aktivitetin e tij që nga viti 2006, prodhon këpucë, importon dhe eksporton lëndë të para për fasonët dhe ka aktualisht 437 të punësuar.

Më tej, ai vizitoi biznesin fason “Picari Shpk”, në pronësi të Nimet dhe Zejni Musait, që ushtron preh 14 vitesh aktivitetin në Fier. Kjo kompani, që ka 360 të punësuar, prodhon konfeksione të ndryshme, bën import-eksport të këtyre mallrave, si edhe tregton me shumicë e pakicë të mallra të ndryshme industriale.

Një nga pronarët e kësaj kompanie, Zejni Musai vlerësoi vizitën e Kryetarit të Kuvendit dhe mbështetjen që Meta për paketën fiskale. “Kemi mbi 7-8 muaj që punojmë, po vjen momenti final që ne të kemi mbështetje, të realizojmë gjitha dëshirat tona dhe mbi të gjitha të bëjmë të mundur që ky biznes të gjenerojë vende të reja pune. Ne premtojmë që me mbështetje të fuqishme që kemi do ta shtojmë numrin e punonjësve”, tha Musai.

Ndërkaq, Meta duke folur për mediat përgëzoi pronarët e kompanive për këtë biznes të suksesshëm që bën të mundur punësimin e qindra grave e vajzave dhe kontribuon në rritjen ekonomike të vendit.

“Dua të shpreh kënaqësinë që vizitoj këtë aktivitet jashtëzakonisht cilësor dhe produktiv të ngritur me kaq mund dhe me kaq sukses për ato produkte të cilat shkojnë në tregjet më të njohura dhe më cilësore të Europës, – tha Meta. – Padyshim që kanë një vlerë të jashtëzakonshme dhe e cila ka të bëjë jo vetëm me punësimin e sigurt të qindra grave dhe vajzave këtu, por njëkohësisht ka të bëjë edhe me kontributin për rritjen ekonomike të vendit”.

Gjithashtu, kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë që mbështetja e Parlamentit dhe qeverisë për biznesin fason ka sjellë efekte mjaft pozitive në një rritje të ndjeshme të prodhimit dhe të eksporteve, por edhe të numrit të të punësuarve.

“Dua të shpreh kënaqësinë që mbështetja që i është dhënë nga Parlamenti dhe nga qeveria, në mënyrë të veçantë biznesit fason, ka sjellë efekte mjaft pozitive në një rritje të ndjeshme të prodhimit dhe të eksporteve, por edhe të numrit të të punësuarve. Padyshim që ka rëndësi që paketa në mbështetje të biznesit fason të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të bëhen përmirësime gjithnjë dhe me të përshtatshme në mënyrë që ky biznes të ecë në rrugë të sigurt drejt rritjes së tij, por njëkohësisht të rrisë gjithnjë e më shumë mundësitë për të realizuar ciklin e mbyllur, brenda vendit, që të shtohen sa më shumë prodhimet ‘Made in Albania’”, deklaroi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. 

SHKARKO APP