Meta: Bujqësia, është sektori më i avantazhuar në Shqipëri
Ky investim në 5 vitet e ardhshme do të kapë vlerën e 15 milionë eurove dhe me një sipërfaqe 50 hektarë ku priten të punësohen rreth 500 punonjës.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit tha se bujqësia është sektori më i avantazhuar në Shqipëri, ndërsa e cilësoi vitin e ardhshëm 2015 si vitin e bujqësisë, blegtorisë dhe vitin e peshkimit.
Gjithashtu, Meta tha se në rast se nuk do të arrihet ai hop cilësor i pritshëm, absolutisht që ky do të ishte një dështim i papranueshëm për të gjithë, pasi si asnjëherë tjetër janë krijuar kushte për një shpërthim të bujqësisë shqiptare.
Kryetari i Kuvendit përmendi se tani ka ardhur koha për t’i kthyer sytë të gjithë nga bujqësia, nga blegtoria nga peshkimi sepse janë resurse të jashtëzakonshme për një rritje më të madhe ekonomike të vendit.
Por ai theksoi gjithashtu se mbështetja e investimit, sidomos sa i takon ndërtimit të serave është dhe duhet të mbetet një prioritet i jashtëzakonshëm sepse në këtë mënyrë ne arrihet në një kohë të shkurtër plotësimi i kërkesës në rritje për perimet dhe për frutat shqiptare, por edhe për prodhime të tjera të cilat po njihen dhe po kërkohen me forcë nga tregu ndërkombëtar.
Kryetari i Kuvendit tha se mbështetja për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin është mbështetje e mençur për një rritje më të lartë ekonomike të vendit dhe për mbështetjen e punësimit dhe për mirëqenien.
Ndërsa, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti në fjalën e tij u shpreh se Shqipëria është konkurruese veçanërisht në prodhim e perimeve të freskëta dhe të frutikulturës, prandaj dhe ky investim shkon në sinkron me këtë drejtim ku vendi jonë ka avantazhe të shprehura.
Sipas ministrit, ky investim i fondacionit “Besa” rrit ofertën aty ku është edhe kërkesa më e madhe, prandaj edhe harta e rajonizimit të prodhimit për të fokusuar pikërisht në ato prodhime bujqësore blegtorale ku Shqipëria ka avantazhe konkurruese dhe krahasuese
“Pikërisht kjo është një indicie, një tregues dhe një udhëzues se ku ne duhet të investohemi, ku ne duhet të përdorim me eficiencë fondet publike dhe fondet e donatorëve. Prandaj kjo nismë është pikërisht shumë inkurajuese, sepse do të nxisë prodhimin e perimeve të freskëta dhe të frutikulturës në një zonë e cila tradicionalisht, edhe falë strukturave të tokë, por edhe karakteristikave të klimës është e përshtatshme për këtë prodhim”, tha Panariti.
KOHA JONË SONDAZH

