Meta: Buxheti 2015, rritje ekonomike dhe ulje të borxhit
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit tha se politika dhe ekonomia ngjajnë bashkë në disa drejtime dhe një prej tyre është se megjithëse ekonomia është një shkencë më e saktë, përsëri edhe ajo ka një dimension të fortë social.
Nisur edhe shqyrtimi i projektbuxhetit 2015 në Parlament, Meta deklaroi se janë të gjitha mundësitë që me buxhetin e ri të vitit 2015, të paraqiten amendamente të ndryshme.
“Për të gjithë ata që e kanë ndjekur edhe dje seancën ka pasur mjaft mendime të ndryshme edhe brenda vetë mazhorancës. Opozita sigurisht që ka bërë kontestimet e saj dhe një pjesë e tyre mund të reflektohen. Nuk ka asnjë arsye pse jo, të gjitha ato që i shërbejnë garantimit të kësaj rritjeje prej të paktën 3% për vitin që vjen, por jo vetëm kaq, por në përgjithësi konsolidimit fiskal dhe makroekonomik të vendit dhe vazhdimësisë për një rritje më të madhe në një plan afatmesëm dhe afatgjatë, sepse kjo është vendimtare”, tha Meta.
Kryetari i Kuvendit theksoi gjithashtu se për herë të parë ne kemi një stabilizim dhe një ulje të borxhit, gjë që është mjaft pozitive.
“Kjo realizohet përmes uljes së qartë të deficitit buxhetor. 3% rritje ekonomike, dikush mund të thotë se nuk është ndonjë gjë e madhe kur e shohim në një plan semplist. Por 3% nuk është pak them unë në rast se kemi parasysh se 3 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto i bie rreth 500 milionë dollarë shtesë në vit, aktivitet ekonomik, prodhime shërbime, punësim e kështu me radhë. Por 3 % nuk është pak po të kemi parasysh se ekonomia jonë ka pasur edhe ritme më të larta në 6-7 apo 8 % përpara krizës globale dhe të eurozonës. Por të mos harrojmë se çfarë ndikimi të jashtëzakonshëm kishte edhe emigracioni”, tha Meta.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit u shpreh optimist se ekzistojnë të gjitha mundësitë që jo vetëm kjo rritje të jetë e sigurt, por mund të jetë edhe më e madhe.
“Në rast se Qeveria, Parlamenti, mazhoranca në radhë të parë reflekton edhe më shumë ndaj shumë shqetësimeve që ngritët ju, ndaj shumë shqetësimeve që kanë ngritur grupet e interesit, që kanë ngritur aktorë të ndryshëm ekonomikë, shoqatat e sipërmarrjes, dhomat e tregtisë e kështu me radhë”, shtoi Meta.
Duke përfunduar se suksesi i realizimit në vija të përgjithshme të këtij projektbuxheti do të krijojë më shumë siguri për të ndërmarrë politika të tjera lehtësuese fiskale në të ardhmen për sektorin e turizmit dhe për sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare.
“Besoj që mbështetja e bujqësisë, mbështetja e energjisë, mbështetja më e madhe që vihet re për inovacionin dhe teknologjinë, që janë mjaft të rëndësishme për të rritur ekonominë e vendit dhe për të qenë më konkurrues, do të ketë efektet e duhura për të realizuar një rritje ekonomike ndoshta edhe më të madhe se sa 3 për qind po të keni parasysh që sa më shpejt të rishikohet kufizimi i mundësive për lejimin e ndërtimeve, pra flasim për të lejuar ndërtime të rregullta, jo për të vazhduar me këtë shkatërrim të hapësirave të territorit, shanset për një rritje ekonomike më të madhe do të shtohen”, tha Meta.
KOHA JONË SONDAZH

