Meta: Dorëheqja e Luiza Xhuvanit, standard i ri në politikë

Në një prononcim për mediat Meta tha se pavarësisht tragjedisë së ndodhur Kuvendi i Shqipërisë do të veprojë në përputhje me procedurat parlamentare duke respektuar Rregulloren e Kuvendit.

 “Të jeni të sigurt se do veprohet sipas rregullave të caktuara. Por kjo nuk është më e rëndësishme. Pavarësisht nga tragjedia e rëndë, dorëheqja e saj është një akt që sjell standard të ri në raport me opinionin, mesazh edhe për të gjithë deputetët, politikanët e zyrtarët”, tha ai.

Kryeparlamentari gjithashtu komentoi edhe vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Serbi, e planifikuar për tu zhvilluar më 10 Nëntor. Meta e cilësoi si vendosmëri nga ana e tij për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

“Takova nënkryetaren e Parlamentit të Serbisë, zhvillova një bisedë mjaft konstruktive dhe mirëkuptuese. Pra është një vizitë e cila zhvillohet në drejtimin e duhur, tregon vendosmëri për të ecur më tej në rrugën e normalizimit dhe transformimit. Ne kemi përgjegjësi të veçantë për të ardhmen e gjithë rajonit. Këtë përgjegjësi duhet ta ushtrojmë duke mos përsëritur frymën konfliktuale të së kaluarës, të bëjmë histori jo për histori, por histori për të ardhmen”, tha ai.

Ndërsa duke komentuar ngërçin politik në Kosovë, Meta tha se ka për klasën politike atje të njëjtin mesazh si ambasadorja e SHBA-së.

“Më duhet të mbështes apelin e ambasadores në SHBA, situata duhet të marrë zgjidhje. Kosova ka nevojë për institucione, shpresojmë që Kuvendi të mblidhet të konstituohet qeveria dhe institucionet e tjera. Kosova s’ka luks për ta tejzgjatur këtë situatë. E mbështes plotësisht ambasadoren, me të njëjtat fjalë”, tha Meta. 

SHKARKO APP