Meta: Hapja e dosjeve do t’i shërbente transparencës

“Hapja e dosjeve është një proces që ka një histori shumë të gjatë, sa ajo e tranzicionit. U bë rreth 24 vjet që ky proces hapet e rihapet në mënyra të ndryshme apo të njëanshme. Unë jam dakord për një hapje, për transparencë, duke mos cënuar parimet kushtetuese, të cilat po ashtu janë shumë të rëndësishme, pasi i dimë problemet që kanë ndodhur në të kaluarën me ligjin ‘Për Lustracionin'”, u shpreh Meta lidhur me një fakt të tillë.

Duke saktësuar se çdo hapje, është pozitive, pasi do i shërbente transparencës në raport me opinionin publik, përjashto rastet kur cënohet siguria kombëtare.

Nga ana tjetër, i pyetur nga gazetarët nëse LSI-ja do të mbështeste një vendim të mundshëm të qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë, Meta konfirmoi se kjo forcë politike, pjesë e mazhorancës qeverisëse, do të vazhdojë të mbështesë të gjitha reformat në sektorin energjitik.

“Ne do të mbështesim të gjitha reformat në këtë drejtim, të cilat e kthejnë këtë sektor, nga një pengesë e madhe dhe me një kosto të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik të vendit e për koston e jetës së qytetarëve, në një faktor pozitiv. Brenda dy-tre vitesh duke mbështetur këto reforma strukturore, duke goditur abuzimin dhe fenomenin e vjedhjes së energjisë, do të merren të gjitha masat për të mbështetur dhe shtresat në nevojë të shoqërisë”, u shpreh Meta.

Dhe në fund, ai mbrojti debatet e bëra deri më tani lidhur me buxhetin 2015, duke cilësuar se kjo vërteton që Kuvendi funksionon siç duhet dhe nuk është se thjesht noterizon projektet e ardhura nga qeveria.

“E vërteta është se Parlamenti funksionon dhe bashkëvepron me qeverinë në mënyrë mjaft aktive”, u përgjigj kryetari i Kuvendit.

SHKARKO APP