Meta: Institucionet e reja të drejtësisë do të jenë të pavarura dhe efektive vetëm pas 25 prillit 2021

Gjatë intervistës së tij për Ora News dhe gazetaren Matilda Mcini presidenti Ilir Meta foli edhe për Gjykatën Kushtetuese.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Një çështje tjetër po kaq e rëndësishme sa çështja e detit është edhe Gjykata Kushtetuese. Prej tri vitesh ka pasur debat, diskurs politik për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Zoti President Gjykatën Kushtetuese e kemi funksionale. E vonuar sipas jush, por gjithsesi ne e kemi. Çfarë prisni ju nga kjo gjykatë?

Presidenti MetaGjykata Kushtetuese do të jetë plotësisht funksionale vetëm kur të plotësohet me të nëntë anëtarët e saj. Natyrisht, që mund të nisë shqyrtimi i çështjeve të caktuara. Në radhë të parë është përgjegjësi e madhe për të gjithë ata që e bllokuan Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë për gjithë këto vite. Nuk ka pasur asnjë arsye që Shqipëria të ngelej pa Gjykatë Kushtetuese funksionale edhe për një sekondë të vetme.

Dihet se kush i bllokoi tre apo katër KED në mënyrë të njëpasnjëshme. Dihet gjithashtu se interesi i kujt ka qenë, që Shqipëria të mos kishte Gjykatë Kushtetuese përgjatë këtyre tre-katër viteve në mënyrë që qeveria të dilte jashtë kontrollit, parlamenti një partiak të dilte jashtë kontrollit dhe të miratoheshin gati 30 e ca ligje antikushtetuese me pasoja të rënda ekonomike dhe financiare për qytetarët shqiptarë.

Dhe jo vetëm kaq, por edhe të kapeshin në mënyrë të njëanshme shumë institucione kushtetuese dhe të pavarura në vend.

Për të gjitha këto arsye,e shohim ccdo ditë se në çfarë parametrash të funksionimit, jo vetëm të shtetit të së drejtës, por edhe të demokracisë, jemi sot në vendin tonë.

Sidoqoftë unë besoj se institucionet e reja të drejtësisë do të mund të jenë të pavarura dhe efektive vetëm pas 25 prillit, për arsye se ato janë ndërtuar dhe veprojnë nën një trysni të jashtëzakonshme politike dhe partiake.

Pyetje: Ju e keni thënë edhe më herët në fakt dhe e keni lidhur diskursin tuaj se Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale pas 25 prillit. E thatë edhe tani, por jemi në kuadër të shtatë anëtarëve tashmë të Gjykatës Kushtetuese. Çfarë bëri që Presidenti i Republikës të ndryshojë mendim?

Presidenti MetaCili është mendimi që ka ndryshuar Presidenti? Kur KED-ja ka sjellë një vakancë te Presidenti dhe Presidenti nuk ka vepruar? Përkundrazi, është Presidenti, i cili në mënyrë të përsëritur i është drejtuar KED-së prej tri vitesh, në mënyrë të përsëritur, për të shpallur vakancat për ato që i takonin Presidentit, përveç institucioneve të tjera. Kur KED-ja solli vakancën e parë për zotin Muçi, Presidenti veproi menjëherë, e dekretoi apo jo? Brenda 24 orësh. Kjo është e vërteta.

Së dyti, për vakancat e tjera që kemi aktualisht, përsëri Presidenti veproi menjëherë.

Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi nga Kuvendi përmes akteve mafioze të ish-kreut të KED-së, për një vakancë të Presidentit, që i ka denoncuar shumë qartë edhe Komisioni i Venecias.

Vakanca që duhej të shprehej Presidenti, iu mor nga Parlamenti njëpartiak dhe ju dha vetes, pra mazhorancës, duke u bërë fakt i kryer përmes botimit të paligjshëm në Fletoren Zyrtare.

Pra kur Presidenti ka vonuar diçka apo është bërë pengesë për diçka?

Presidenti ka qenë i vetmi që ka kërkuar bashkëpunim në mënyrën më transparente. Ia ka kërkuar KED-së dhe ia ka kujtuar KED-së edhe mënyrën se si duhet të vepronte, pra edhe për renditjen, edhe për radhën, sepse radha ishte e përcaktuar në Kushtetutë.

Presidenti nuk mund të shkelte Kushtetutën, sepse detyra e Presidentit është të mbrojë Kushtetutën dhe u kërkoi edhe KED-së, edhe Kuvendit, edhe të gjithë aktorëve të tjerë bashkëpunimin që të respektohej Kushtetuta. Ishin të tjerë ata, të cilët bënë ato veprime të shëmtuara, që i ka bërë shumë të qarta edhe Komisioni i Venecias.

Pyetje: Duke iu referuar kritereve që përcakton Kushtetuta që anëtarët duhet të jenë juristë të spikatur, a mendoni se këta anëtarë ishin zgjedhja më e mirë që ofron vendi ynë?

Presidenti MetaUnë mendoj se e gjithë Reforma në Drejtësi nga politizimi ekstrem i mazhorancës dhe nga vullneti i saj për kapjen e të gjithë sistemit të drejtësisë ka larguar nga procesi i aplikimit shumë personalitete, që mund të kontribuonin në institucionet e drejtësisë. Sepse ata nuk dëshirojnë të bëhen palë në një proces kaq të kompromentuar politikisht.

Përsa u takon kandidaturave aktuale, nuk ka qenë mundësia për të bërë zgjedhje të plota apo për të zgjedhur të paktën midis tri kandidatëve, por e vetmja mundësi që ka pasur Presidenti në rast të moskonfirmimit të kandidatëve të propozuar apo të sjellë nga KED-ja, ka qenë për të kërkuar shpalljen e vakancave nga e para. Që  çfarë do të sillte? Një shtyrje akoma për në “kalendat greke”. Unë mendoj që këto kandidatura kanë një integritet të mjaftueshëm, kanë një edukim të besueshëm në fushën e drejtësisë dhe shpresoj e uroj që ta demonstrojnë këtë integritet në vendimet e tyre në të ardhmen.

Megjithatë për të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese na mbetet detyra të gjithëve që të monitorojmë veprimtarinë e tyre hap pas hapi pasi është institucioni më i rëndësishëm që ka Republika e Shqipërisë dhe pasojat e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të jenë shumë të rënda, në dëm jo vetëm të të gjithë qytetarëve të vendit tonë, të demokracisë, por edhe të sovranitetit, të integritetit të Republikës së Shqipërisë.

Shpresoj që secili ta marrë më shumë përgjegjësi këtë detyrë.

SHKARKO APP