Meta mbetet në burg, reagon Monika Kryemadhi: “Porti i Durrësit sot drejton Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme dhe SPAK”

Apeli i GJKKO-së nuk ndryshoi masat e sigurisë për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Seanca e nisur në orën 10:00 u mbyll në 16:00. Në daljen e saj për mediat, Kryemadhi akuzoi SPAK-un se ka bërë falsifikime keqdashëse për deklarimet e pasurisë së tyre dhe shtoi se prokurorët ishin të papërgatitur përballë fakteve të ardhura nga SHBA dhe Çekia.

”Prokurorët ishin të papërgatitur përballë fakteve dhe fashikujve që kanë ardhur nga SHBA, Çekia dhe Austria. Profesionalizmi i SPAK ishte në nivelin e një studenti të vitit të parë të juridik. Aludimet e tyre qesharake, të bazuara në falsifikime. Këto falsifikime kanë qenë keqdashëse. Kalkulimet dhe analizat financiare e pa bërë nga SPAK rezultoi të falsifikojë me keqdashje deklarimet e pasurive tona. Rezulton që edhe nga letër-porositë që kanë ardhur nga SHBA, përsëri i bie të ketë një deklaratë të rremë të cilat në SHBA dënohen me 5 vite burg. Prokurorët ishin të papërgatitur, kaluan në artikujt e mediave”, tha Kryemadhi.

Referuar SPAK, Kryemadhi tha se Prokuroria e Posaçme ka vepruar politikisht.

“Porti i Durrësit sot drejton Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme dhe SPAK. Që nga momenti kur në krye të SPAK u vendos një drejtues i ri nuk ëhstë kapur asnjë kilogramë kokainë nga Porti i Durrësit, ndërkohë që kalojnë kontenierë me kokainë.

Po pres të zbardhet edhe evazioni fiskal 189 mln euro që na vijnë nga kompanitë e frutave ekzotike që pastrohen në ndërtim ku kanë shtëpi edhe prokurorët e SPAK”, tha Kryemadhi, duke theksuar se SPAK kontrollohet nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.

E pyetur lidhur me deklaratat e Ilir Metës që bën përgjegjëse ish-bashkëshorten e tij, përsa i takon deklaratave të pasurisë, Kryemadhi tha se çështja e deklarimit të pasurisë për z. Meta bie automatikisht.

“SPAK qëllimisht ka gënjyer lidhur me deklarimin e pasurisë pasi në deklaratë thuhet se është pakësuar me 14 mln, ndërkohë SPAK e shkruan 10 mln, dhe ngre një akuzë për këtë diferencën, gjë që bie automatikisht. Po kështu rrëzohen edhe ato pretendimet se një zonjë ka paguar për Ilir Metën, pasi nga letërporositë rezulton se ajo ka paguar për veten e saj.

Po kështu edhe bazuar në letër-porosinë e ardhura nga Çekia thuhet se Kastriot Ismailaj dhe Ilir Meta nuk ka fjetur në një hotel, sikundër shkruajnë portalet e paguara nga inceneratori i Tiranës, çka rrëzon edhe këtë pretendimin për CEZ DIA”, tha Kryemadhi.

Prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Sotir Kllapi kanë ngritur akuzat për korrupsion dhe fshehje pasurie ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Seanca në Apelin e GJKKO-së ka zgjatur 6 orë, ku prokurorët e SPAK kërkuan që të mos ndryshojnë masat e sigurisë, ndërsa Ilir Meta mbajti një fjalë të gjatë, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë. Meta tha se nuk i ka shkuar asnjëherë ndërmend që të largohet nga vendi për tiu shmangur drejtësisë, madje u shpreh i gatshëm që ti bllokohej edhe pasporta. Meta e lidhi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë edhe me zgjedhjet, duke kërkuar që të drejtonte fushatën e partisë së tij, ndërsa tha se mbahet në burg politikisht si lider i partisë së dytë më të madhe opozitare.

Njoftimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar thotë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më datë 19.11.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 11.11.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim I.M. dhe M.K., me objekt:

“Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 dhe vendimit nr. 130, datë 23.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 125, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 130, datë 23.10.2024 të së njëjtës gjykatë, për pjesën e ankimuar nga personat nën hetim I.M. dhe J.K.

Pas këtij vendimi, ka reaguar për mediat avokati i Metës dhe Kryemadhit, Genc Gjokutaj. Ai tha se vendimet e dy gjykatave janë të paarsyetuara. Gjokutaj shtoi se nuk i ka humbur shpresat, duke thënë se këta gjyqtarë do të nisin të dëgjojnë. Ai paralajmëroi se pas ndjekjes së rastit në shkallët e gjyqësorit shqiptar, nëse është e nevojshme, do e ndjekin atë edhe në gjykatën ndërkombëtare.

“Kërkuam revokimin e masave të sigurisë. Gjykata e Apelit është si GJKKO në mos më keq. Vendimet e dy gjykatave janë të paarsyetuara. Sistemi i drejtësisë është “sorosifikuar”. Z Meta atë ditë ka qenë në Kosovë. Meta e ka ditur procesin dhe nuk mund të intimidojë dhe as të prishë provat. Nuk i kemi humbur shpresat, këta gjyqtarë do nisin të dëgjojnë, sepse nuk mund të ecet me këtë formë, që gjithë opozita në burg dhe këta “korrin suksese çdo ditë”. Do konsumojmë të gjitha shkallët e drejtësisë shqiptare, por nëse është nevoja do t’i drejtohemi edhe drejtësisë ndërkombëtare.” – u shpreh Gjokutaj.

SHKARKO APP