Meta mesazh ngushëllimi familjes së aktorit të madh Bujar Lako
Ilir Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve të aktorit të madh shqiptar Bujar Lako
Të nderuar familjarë të aktorit të madh Bujar Lako,
E dashur Mira, i dashur Bojken,
Me trishtim të thellë dhe befasi të madhe mësova se Bujar Lako nuk është më. Se aktori i madh i skenës dhe ekranit shqiptar që ka ardhur aq shpesh në disa dekada në jetën e gjithsecilit nga ne, vendosi të ikë. Të ikë papritur duke lënë pas një boshllëk të madh e të pangushëllueshëm për ju, familjarë të afërt të tij, por dhe për gjithë shoqërinë shqiptare, për miqtë dhe kolegët e tij të shumtë.
Ky është një largim që prek të gjithë.
Kjo është një ikje që i dhemb të gjithëve.
Kjo është një humbje që e ndjejnë të gjithë.
Bujar Lako ishte dhe do të mbetet një nga yjet më të ndritshëm të artit shqiptar, ai ishte shkolla e madhe e aktrimit dhe njeriut qytetar.
Ishte një nga Gjeneralët e shquar të artit mes sivëllezërve të të njëjtit profesion.
Ndryshe nga njerëzit e zakonshëm, artistët e skenës dhe të ekranit kanë një fat të papërsëritshëm.
Ata mbajnë bashkë me portretin e tyre edhe portretet e personazheve që ju japin jetë.
Ata jetojnë në të njëjtën kohë edhe jetët e personazheve të tyre.
Ata marrin diçka nga secili personazh, detaje nga portretet dhe jeta e secilit prej personazheve dhe që i përdorin ato në jetën e tyre të përditshme duke qenë edhe më shumë se vetvetja.
Bujar Lako ishte në të njëjtën kohe edhe virtuozi i pashembullt i kabave dramatike shqiptare, edhe Gjenerali cinik i huaj, ishte edhe shqiptari i dëshiruar për gjuhën shqipe, edhe idealisti i pasluftës botërore.
Bujar Lako ishte dhe është Nder i Kombit shqiptar.
Ishte dhe është një nga portretet më të spikatur të shoqërisë shqiptare, protagonist i rëndësishëm në të shkuarën dhe në të sotmen e saj. Një portret i shqetësuar dhe serioz, me gjithë dramaticitetin e roleve të tij të paharrueshëm, duke nisur me kryerolin e jetës së tij, Bujar Lakon, qytetarin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë.
Më lejoni, të dashur familjarë të Bujarit tonë, e dashur Mira dhe Bojken, t’ju përcjell trishtimin tim të thellë për këtë humbje të papritur që na ka prekur të gjithë.
Një humbje që na dhemb të gjithëve dhe që e la Tiranën me një simbol të sajin më pak.
KOHA JONË SONDAZH

