Meta mesazh qytetarëve: Dy kundërshtarët tanë aktualë janë padurimi dhe shkujdesja
Kreu i shtetit, Ilir Meta deklaron se situata me pandeminë e koronavirusit do të shkojë drejt normalizimit. Në një intervistë për emisionin “Byro Politike” të gazetares Juli Xhokaxhi në “Abc News”, Presidenti u shpreh tashmë sfida kryesore është që qytetarët të bëjnë durim dhe të shmangin pakujdesinë.
“Dua të ndaj shpresën dhe besimin tim të plotë se ditët më të mira i kemi përpara. Tani kemi dy kundërshtarë. Në rast se në fillim kishim panikun dhe paqartësinë, tani pasi kemi siguruar një situatë relativisht të qëndrueshme, kundërshtari unë kryesor është padurimi dhe shkujdesja. Kështu që është më rëndësi të vazhdojmë qetësinë, durimin dhe bashkëpunimin, e shumë shpejt do t’i rikthehemi normalitetit, gjallërisë së jetës dhe afërsisë fizike me të afërmit, miqtë e familjarët tanë”,- tha kreu i shtetit.
Presidenti Ilir Meta kërkoi nga mazhoranca që të marrë parasysh propozimet që janë bërë për të mos ndryshuar Kodin Penal.
“Duhet të presim derisa Parlamenti të përmbyllë punimet e tij dhe të shprehet për këto ndryshime në Kodin Penal. Mund t’ju them që drafti i parë i bërë publik ka sjellë mjaft shqetësime dhe shumë prej këtyre shqetësimeve kanë qenë të drejta dhe legjitime. Përballimi i një situate të tillë nuk ka qenë plotësisht i parashikuar në Kodin tonë Penal dhe në këtë drejtim mendoj që nuk synohet apo në çdo rast nuk duhet të synohet për ta përdorur këtë situatë për të shkelur të drejtat e qytetarëve, por për të ndëshkuar ata persona qe më ndërgjegje krijojnë me dashje probleme me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve. Ka patur një proces bashkëpunimi dhe shkëmbimi idesh që deri në minutën e fundit duhet punuar me përgjegjshmëri për të realizuar ndryshime që nuk bien ndesh me Kushtetutën dhe Konvetën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Është shumë e rëndësishme që reflektimet të vazhdojnë deri në minutën e fundit në mënyrë që këto masa të jenë në funksion të qëllimeve pozitive”,- tha kreu i shtetit.