Meta, një lider që nuk e mposht një regjim autokratik

Nga: Agim Nesho

Si çdo regjim, regjimi i Rilindjes ka një fillim dhe ngritje, por ka edhe një fund. Sa më tepër kërkon pushtet dhe zvarritet ta mbajë atë me çdo kusht, aq më tepër pushteti i pakufizuar është dhe fillimi i fundit të saj. Sot Shqipëria është kthyer në një autokraci lindore pa respektim të shtetit ligjor, mungesës së balancës së pushteteve, militantizmit dhe frikës së administratës publike, kapjes totale të shtetit. Ajo që i ka mbetur nga një shtet demokratik është vetëm fasada e jashtme e ngjyer mirë me bojë, e paguar mirë me lobistë dhe klientelizmi ndaj fuqive botërore perëndimore me devizën “Unë ju plotësoj kërkesat tuaja, ju më lini të qetë në bajrakun tim”.

Përdhosja e procesit zgjedhor me një “mekanizëm” elektoral të frikshëm të patronazhit, presionit të shtetit ndaj administratës, blerjes së votës, pavlefshmërisë së votave, etj., tregon qartë që partia-shtet ka instaluar regjimin e saj autokrat me të gjitha mënyrat dhe mjetet.

Pasi i ka tjetërsuar dhe vënë në rresht të gjitha institucionet, duke na e servirur këtë realitet si vullnet popullor, ajo po përpiqet të shuajë edhe ato zëra të pavarur të shtypit të lirë dhe institucionin e Presidentit të Republikës. Për gjithë këtë periudhë të instalimit të regjimit, Presidenti Meta ishte i vetmi institucion që ruante ekuilibrat e ç’balancuar dhe mbronte

Kushtetutën ndaj arrogancës së një pushteti që drejtohet me dekrete ekzekutive dhe autoritet personal.

Kërkesa e dytë e regjimit për të shkarkuar Presidentin, në një mënyrë jo kushtetuese dhe ligjore bëhet për disa arsye.

Së pari, për të tërhequr vëmendjen nga procesi zgjedhor i kompromentuar.

Së dyti, për ta paralizuar veprimin politik të Presidentit të Republikës nëpërmjet presionit.

Së treti, për të treguar forcë dhe kontroll dhe për të paralizuar dhe përçarë opozitën me diversionin se Presidencën mund t’ia japin prapë një figure opozitare, por të pranuar nga regjimi.

Akuzat ndaj Presidentit qëndrojnë në disa argumente.

Së pari, në ruajtjen e figurës së Presidentit si figurë e unitetit kombëtar dhe jo palë me opozitën. Në fakt në një shtet të kapur, të inkriminuar, Presidenti nuk mund të bëhet palë me regjimin, por do të përkrahë forcat progresiste për të rivendosur shtetin ligjor dhe demokracinë.

Në Kushtetutë, Shqipëria është një demokraci dhe detyra kushtetuese është në mbrojtje të saj. Ai mbrojti Kushtetutën kur pushteti kërkoi të kapte pushtetin e pavarur të drejtësisë, ktheu ligjet anti-klienteliste të qeverisë me dhjetëra herë, nuk kaloi ligjet që favorizonin kapjen e institucioneve dhe favorizonin praktika korruptive, mbrojti trashëgiminë kulturore të vendit dhe dënoi prishjen arbitrare të Teatrit Kombëtar, ishte kundër daljes së opozitës nga Parlamenti, por mori masa për ruajtjen e balancave të pushtetit me shtyrjen e zgjedhjeve të pushtetit lokal për t’u arritur konsensusi midis palëve politike dhe që në Shqipëri të mos instalohej partia-shtet.

Ai u përpoq të krijonte balancat dhe konsensusin në një shtet që kishte shkarë nga rruga e funksionimit demokratik të tij.

Së dyti, nga gjuha e urrejtjes dhe deklaratat ‘ekstreme’ të Presidentit gjatë procesit zgjedhor. Çfarë gjuhe urrejtje mund të ishte thirrja për të mbrojtur votën e lirë dhe nevoja për të njohur vullnetin e popullit? A ishin vargjet e fuqishme të Nolit që bënin thirrje kundër regjimit “Bjeruni dhe shtypini, katundarë e punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë”, vargje urrejtje? A janë gjuhë urrejtje dhe luftënxitëse thirrja e baballarëve të kombit Amerikan që republika duhet të mbrohet nga ‘tirania e mazhorancës’ dhe thënia e Thomas Jefferson që “pema e lirisë duhet të rifreskohet herë pas here me gjakun e patriotëve dhe tiranëve”?

Detyrë e çdo patrioti është mbrojtja e votës së lirë dhe sistemit politik që revolucioni demokratik i viteve ’90 shprehu dëshirën unanime të shqiptarëve për një shoqëri demokratike të lirë e pro-perëndimore. Në mungesë të institucioneve të shtetit dhe policisë së politizuar, qytetari ka të drejtë të mbrojë votën e tij.

Së treti, përdorimi i një argumenti sensibilizues për prishjen e raporteve me aleatët strategjikë të Shqipërisë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fakt ky është një argument vulgar për të gjithë ata që nuk pranojnë dinjitetin e shtetit Shqiptar. Meta që në fillim ka qenë një figurë pro-perëndimore dhe pro-amerikane duke qenë partneri i tyre gjatë konfliktit në Kosovë, në krizën e Maqedonisë në 2001, në të gjitha iniciativat për paqen, stabilitetin dhe luftën kundër terrorizmit deri në përkrahjen e rezolutës së Kongresit Amerikan për njohjen e Jerusalemit, si akt i përkrahjes ndaj SHBA-së kur regjimi i Tiranës iu bashkua vendeve islamike dhe Turqisë. Si mund të jetë anti-perëndimor dhe anti-amerikan një lider që mbron parimet e rendit ndërkombëtar për mos-ndryshimin e kufijve, ndërsa të tjerët marrin pjesë në projektet destabilizues për paqen dhe stabilitetin; si mund të jetë anti-amerikan Zoti Meta kur i bashkohet thirrjes së Presidentit Biden për rikthimin e demokracisë në botë kur të tjerët kanë model erdoganizmin, të pranuar vetë, dhe modelet autokrate të financuara nga oligarkët?! Vetëm një politikë interesi mund të mos bëjë dallimin e duhur.

Është nevojë e një regjimi të korruptuar që të luajë këtë kartë, kur vetë ai për të fituar pushtetin bashkëpunon me elemente të penalizuar nga shteti Amerikan, kur sfidon hapur ambasadoren amerikane dhe qesëndis Sekretarin e Shtetit të SHBA-së se nuk i merr leje se kë të ketë shok.

Manipulimi i fakteve, portretizimi i Metës si armiku i brendshëm i Shqipërisë është nevoja që çdo regjim zgjedh për të fshehur korrupsionin e tij dhe insistuar në përcaktimin e axhendave të kancelarive ndërkombëtare. Axhenda është e qartë: Portretizo kundërshtarët e tu për të shpëtuar vetveten dhe regjimin që mbron. Luhatja në qëndrime e zotit Rama ndaj zotit Meta, që Meta është lider i madh kur të sjell në pushtet dhe bashkëpunon me ty dhe i panevojshëm kur të prish projektet e tua, nuk kuptohet nga të huajt, brenda suazës së intrigës ballkanike dhe axhendës së fshehur.

Tentativa e mazhorancës për të shkarkuar Presidentin Meta, e vë këtë të fundit në një pozitë win-win: ose në pozitën e Presidentit për të luftuar kundër kapjes së shtetit ose jashtë Presidencës dhe një lider i opozitës kundër një regjimi që gjithmonë e më shumë po bëhet anti-popullor dhe i rrezikshëm.

Meta me vizionin e një lideri mund të provokojë një lëvizje mbarëkombëtare duke bashkuar elementet shqiptarë kundër një regjimi që axhendën kombëtare e ka mënjanuar dhe i ka dhënë përparësi bashkëpunimit me projektet e Vuçiç dhe regjimeve të tjera anadollake.

Të presim dhe të shikojmë si do të zhvillohen ngjarjet, por diçka është e ditur tashmë. Ai është i fituar në të dy skenarët. Atë nuk mund ta mundë një regjim folklorik dhe autokrat.

SHKARKO APP