Meta pret Komisionin e Venecias: Ngërçin e Kushtetueses e zgjidhin dhe dy fëmijë të klasës së parë

Delegacioni i Venecias që ka mbërritur paraditen e sotme në vendin tonë, ka shkuar pak minuta më parë në zyrën e presidentit Meta, i cili duket se i ka pritur me duartrokitje.

Komisioni i Venecias është me mission faktmbledhës në vendin tonë, ku do të japë opinion më pas lidhur me procedurën e ndjekur nga institucionet shqiptare në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Meta është shprehur se është bazuar në nenin 179 të Kushtetutës në zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses, dhe këtë e ka të qartë dhe dy fëmijë që janë në klasën e parë.

“E adhuroj Komisionin e Venecias, sepse pata mundësi që të imponoja vendimin për anëtarët e Kushtetueses, duke u mbështetur pikërisht në rekomandimet e tyre. Vitin e kaluar mora ‘luanin e artë’ në Venecia.

Jam bazuar në nenin 179 të Kushtetutës, që thotë se anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga presidenti. Këtë mund ta zgjidhin edhe dy fëmijë që janë në klasën e parë, ama klasa politike në Shqipëri nuk ka mundur dot që të lexojë qartë.

Faleminderit që keni ardhur, që të keni një informacion të plotë për këtë cështje dhe të mbani qëndrimin tuaj të paanshëm dhe me integritet”, iu ka thënë Meta anëtarëve të Komisionit të Venecias.

Gjatë takimit, Meta u shpreh para delegacionit se me Venecian është bërë një Kushtetutë e mrekullueshme por që herë pas here çmontohet dhe prishet balanca.

“Bëmë një kushtetutë të mrekullueshme me Komisionin e Venecias dhe që u votua referendum nga populli shqiptar në ‘98. Profesor Caco në atë kohë, Buchichio kanë bërë një punë të mrekullueshme. Por që atëherë ne harruam çfarë ndodhi dhe herë pas here i kemi çmontuar mekanizmat ‘check&balance’ të Kushtetutës sonë. Komisioni i Venecias ka bërë më të mirën e tij. Ashtu siç e bëri edhe për reformën që ne miratuam në kushtetutë për drejtësinë, e cila u votua me 140 vota nga 140 deputetë siç nuk ka ndodhur ndonjëherë. Dhe unë isha kryetar i parlamentit në atë kohë dhe jam krenar për atë arritje se pata mundësi për ta imponuar atë konseneus vetëm duke përdorur rekomandimet e komisionit të Venecias”, deklaroi Meta.

Burime thanë se kreu i shtetit do u shfaqë disa video përfaqësuesve të komisionit të Venecias. Gazetarët dhe kamerat fiksuan teksa ishin të pranishëm në nisje të takimit një monitor të madh në sallën ku ishin mbledhur zyrtarët e lartë.

Pamje nga takimi në Presidencë

SHKARKO APP