Meta:“ Prindi me fëmijët të jetë tolerant, por edhe kërkues”

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj gjimnazistë të Tiranës në mjediset e kodrave të Liqenit Artificial.

Si mendoni të arrini përfaqësimi në 30 për qind në këshillin bashkiak? A do të jenë këta të rinj në lista fituese dhe a mendoni ju se të rinjtë janë të aftë për vendimmarrje?

Përshëndetje të gjithëve. Është kënaqësi për mua që të jem sot këtu dhe nuk habitem pse ky bashkëbisedim u nis nga një Petroninse edhe për arsye se “Petro Nini” është më afër se çdo gjimnaz tjetër me ambientin e këndshëm ku ne po zhvillojmë këtë bashkëbisedim dhe që shpresojmë që ambiente të tilla të mos kemi vetëm në këtë pjesë të kryeqytetit, por edhe në të gjithë hapësirat e tjera dhe ndoshta ky duhet të jetë një nga angazhimet tuaja dhe tonat edhe për zgjedhjet e ardhshme të 21 qershorit për bashkinë më të madhe të kryeqytetit për Tiranën, e cila tashmë është edhe një bashki e re dhe me hapësira më të mëdha. Absolutisht që për Lëvizjen Socialiste për Integrim, pjesëmarrja e të rinjve, përfaqësimi i të rinjve është një objektiv kryesor, sepse ne besojmë që në radhë të parë jo LSI, por Shqipëria është e të rinjve dhe u takon të rinjve. Dhe në këtë drejtim unë jam i bindur se pjesëmarrja dhe përfaqësimi i të rinjve, sidomos në lista për këshillat bashkiakë të paraqitur nga LSI do të jetë i garantuar edhe jam i bindur impresionues, ashtu sikurse është impresionuese Lëvizja Rinore për Integrim dhe angazhimi i saj në LSI dhe në të gjithë jetën politike, sociale dhe rinore në vend. Kështu që jo vetëm ne do të respektojmë atë angazhim që kemi në statutin e LSI-së që LRI të përfaqësohet me 30 për qind edhe në këto lista, por nuk besoj se ju do të na kritikoni apo dhe të tjerët që nuk i takojnë gjeneratës së LRI, nëse do ta tejkalojnë këtë përfaqësi. Por ajo që unë dua të nënvizoj ka të bëjë me faktin se kuotat janë një instrument. Nuk duhet të jenë qëllimi ynë. Një instrument që do të na ndihmojë për një objektiv më të rëndëishëm, për një pjesëmarrje sa më dinjitoze edhe të grave, edhe të rinjve, edhe të të rejave. Në rast se ne kemi sot deputete të Kuvendit si LSI dhe ju akoma më shumë si LRI Kejdin, ajo nuk është thjesht se është 20 apo 21 vjeç, por është sepse ka një aftësi dhe një personalitet që e vendos në pozita të barabarta edhe me cilindo tjetër në Kuvend dhe jashtë tij. Në rast se ne kemi sot ministren më të re në kabinetin qeveritar si përfaqësuese të LSI-së dhe dikur të LRI Klajda Gjosha, ajo është atje për shkak të dijeve dhe të personalitetit që ka dhe të aftësive për ta kryer atë detyrë me shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm. Ndaj dua të theksoj rëndësinë e pjesëmarrjes në politikë në radhë të parë përmes dijeve, sepse ato rrisin personalitetin e të rinjve dhe të rejave dhe e bëjnë të qartë se nuk janë të angazhuar thjesht për të respektuar moshën e tyre, por janë aty për të dëgjuar mendimet e tyre dhe për t’i kthyer këto mendime, këto ide në vendime të rëndësishme të cilat do të kenë impakt jo vetëm për jetën e tyre, por dhe të familjes së tyre, të komunitetit dhe të gjithë shoqërisë. Kështu që duke garantuar përfaqësimin më të lartë të LRI në listat për këshillin bashkiak, dua të shpreh edhe besimin tim që edhe ju jeni plotësisht dakord që pjesëmarrja në politikë përmes dijes është ajo që i jep rinisë vendin e merituar dhe që vërtet e bën atë një forcë jo vetëm energjike, jo vetëm rinore, por mbi të gjitha e bën edhe një forcë udhëheqëse për fatet e saj dhe për fatet e vendit.

Këtë vit unë mbusha 18 vjeç dhe në 21 qershor jam votuese për herë të parë. Pyetja ime është se sa vlerë ka vota ime, vota e të gjithë votuesve për herë të parë? Nëse ka, cila është?

Pa asnjë diskutim që vota juaj ka shumë vlerë dhe absolutisht që vlerën e saj nuk e jep thjesht pjesëmarrja e juaj thjesht fizike në ditën e votimit, por i gjithë angazhimi juaj i përditshëm, jo thjesht politik, por në radhë të parë shoqëror ia jep formësimi i vazhdueshëm i ëndrrave, i aspiratave të cilat nuk mund të realizohen kurrsesi vetvetiu dhe të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se në rast se ne lëmë një boshllëk, dikush tjetër do ta mbushë. Në rastin konkret kjo do të mund të paraqitej ndryshe sepse në rast se ju vetë do të merrni pjesë dhe nuk do të shpreheni për të ardhmen tuaj, atëherë të tjerë do të vendosin. Ndërkohë që zgjedhjet e fundit në Tiranë për në Bashkinë e Tiranës përpara 4 viteve, do të mbahen mend për faktin se në një bashki kaq të madhe sa Tirana, patëm një odise të pafund të numërimit dhe rinumërimit. Shumë prej jush ndoshta nuk e mbajnë mend pasi atëherë keni qenë 13 apo 14 vjeç dhe katër vite në këtë moshë kanë një domethënie shumë të madhe, pot për të gjithë të tjerët, për të gjithë qytetarët, besoj se e kanë kuptuar rëndësinë e madhe që ka edhe një votë e vetme për të marrë dhe ndikuar një vendim të madh për të gjithë komunitetin dhe shoqërinë, sepse kështu funksionon demokracia. Ndaj në rastin konkret, LSI apo Aleanca për Shqipërinë Evropiane nuk do të arrinte objektivin e vet qoftë edhe për votën tuaj Armela, jo vetëm që do të kishte humbur rëndësinë për të thënë fjalën tëndë, por kam frikë se do të ndiheshe edhe fajtore. Por në këtë rast nuk do të ndodhë, sepse jam i bindur se diferenca do të jetë shumë e madhe, por kjo nuk është një arsye për të mos marrë pjesë në votime. Përkundrazi, besoj se në çdo rast dhe çdo qytetar që kërkon nga vetja, që kërkon nga shoqëria, duhet të jetë aktiv, duhet të marrë pjesë, duhet të shprehet me votën e tij dhe jo vetëm njëherë në katër vjet, por në mënyrë të vazhdueshme të rrisë dhe kërkesën e llogarisë ndaj të zgjedhurve, ndaj përfaqësuesve të tij në pushtetin vendor, ndaj këshilltarëve, ndaj deputetëve ndaj kryetarëve të bashkive e kështu me radhë. Dhe mendoj se ju si anëtare të LRI keni fat të madh sepse jeni përfaqësues të një force shumë të madhe e cila është e përfaqësuar edhe në Kuvend, dhe ju keni mundësi përmes kësaj force që secili prej jush të ndihet i tillë.

Unë e kam ëndërr që në të ardhmen të bëhem juriste, por kam dëgjuar dhe kam parë dhe në rrjetet sociale shaka që ata që vazhdojnë për juridik përfundojnë kamerier ose vazhdojnë për një profesion që s’ka lidhje me degën e tyre. Por kam vërë re të njëjtën gjë edhe për degë të tera. Dua t’ju pyes se çfarë mund të bëni ju për ne, për mua dhe për të tjerët që janë sot këtu me ne ? A do të përfundojnë edhe këta kamerierë?

Së pari profesioni i kamerierit është shumë i nderuar dhe ne papërjashtim çdo ditë kemi të bëjmë me ta dhe ata na shërbejnë. Por kuptohet që të përfundosh studimet e larta për drejtësi, për psikologji apo për sociologji apo për shumë fusha të tjera dhe të mos kesh mundësi që ta ushtrosh këtë profesion, kjo padyshim shënon një zhgënjim të madh dhe nuk është një zhgënjim që kalon me një ditë sepse është një investim katër vjeçar që i riu apo dhe e reja, familja kanë bërë dhe është një investim që nuk realizohet, nuk kthehet. Prandaj është i domosdoshme edhe e gjithë reforma në fushën e arsimit. Edhe në arsimin parauniversitar dhe në arsimin e lartë që të orientohet drejt një formimi dhe edukimi që ndihmon për një punë të sigurtë dhe në këtë drejtim unë do të theksoja rëndësinë e promovimit të shumë profesioneve të tjera të nderuar dhe aq të domosdoshme dhe aq të kërkuara sot për të cilat ndihet një mungesë e madhe. Unë jam me origjinë nga Skrapari dhe më ndodh shpesh kur shkoj atje dhe bëhem ndonjëherë nervoz dhe ju them që aman vetëm juristë mos u bëni, sepse këtu ka nevojë për veterinerë, ka nevojë për agronomë, ka nevojë për të zhvilluar agro-biznesin. Mirëpo, e vëmë re se kudo ka një kërkesë të madhe për disa degë të caktuar, ndërkohë që tregu i punës ka një boshllëk të madh për shumë profesione të tjera të cilat njëkohësisht janë profesione shumë të mirëpaguara që mund të sjellin një standard shumë të lartë në jetën e çdo të riu, sepse sado të ketë nevoja, dihet që numri i gjykatësve është numër i kufizuar, numri i prokurorëve është i kufizuar, numri i punonjësve që punojnë në këtë fushë gjithmonë mbete i tillë. Ndaj, dhe unë pa dashur të dekurajoj ëndrrën tuaj për t’u bërë juristë dua t’ju them se në rast se do të bëhesh vërtet juriste duhet të studiosh vërtet shumë , duhet të jesh shumë e shkëlqyer që nesër vërtet të gjesh vetveten sepse konkurrenca është e jashtëzakonshme. Por unë do t’ju ftoja për të parë edhe shumë degë të tjera të cilat vendi ka nevojë, për të cilat ekonomia e vendit në të ardhmen ka shumë nevojë, për të cilat biznesi vendas dhe investitorët e huaj si punëofrues kanë shumë kërkesa dhe shumë nevoja, dhe në këtë drejtim ne duhet të shohim dhe gjithë reformimin e arsimit tonë që ai të jetë vërtet një edukim për të garantuar një punësim të denjë në të ardhmen dhe të mos vazhdojë të jetë për një pjesë të madhe të të rinjve, siç është edhe sot, një zhgënjim për mosrealizimin e dëshirave dhe të ëndrrave të tyre. Natyrisht nuk ka të bëjë vetëm profesioni apo dega, ka të bëjë në një masë të konsiderueshme edhe një fiktivitet që kemi patur gjatë viteve të fundit në zhvillimin e arsimit të lartë, ku si një student i shkëlqyer i cili ka studiuar, ka arritur rezultate të larta, por edhe një tjetër që nuk e ka marrë shumë mundimin për të studiuar kanë diploma dhe pretendohet për t’u vlerësuar njësoj, gjë që është mjaft e gabuar dhe besoj se reforma që është zhvilluar dhe që po zhvillohet në fushën e arsimit të lartë do të japë zgjidhjet e duhura për të ardhmen.

Bashkë me prindërit e mi kemi mendimin që shkollimi dhe jeta ime duhet të bëhet jashtë Shqipërisë. Kjo vjen si pasojë e shumë e mungesave që kanë shkollat dhe universitet shqiptare. Pyetja ime qëndron. Cilat janë arsyet që ju më jepni që unë të vazhdoj studimin tim në Shqipëri dhe pse jo edhe jetën time?

Kjo është një dilemë tjetër. Pra dilema për të rinjtë e moshës suaj që të studiojnë në këtë vend apo që të studiojnë edhe jashtë vendit. Unë personalisht i përkrah të dyja opsionet, edhe sipas mundësive, kuptohet. Por jam i bindur që në formimin e një të riu, sidomos në kushtet e sotme, pra në kushtet e këtij informacioni pakufi, të këtij globalizimi të jashtëzakonshëm ku gjithçka zhvillohet në kohë reale, ku çdo informacion e gjen menjëherë për gjithçka që ju keni interes. Pra është një situatë krejt tjetër nga ajo e gjeneratës që unë i takoj, e cila shkollën e mesme dhe një pjesë të universiteteve e bëri para viteve ’90. Por unë jam i bindur që në çdo rast, absolutisht vlera e arsimimit, e edukimit ka të bëjë me vetë personalitetin e të riut apo e të resë, dhe natyrisht që ne kemi shumë të rinj dhe të reja që kanë studiuar jashtë gjatë kësaj kohe dhe të cilët janë vërtet një aset shumë i çmuar. Por kemi dhe shumë të tjerë që kanë studiuar në vend dhe që gjithashtu kanë një personalitet shumë të fuqishëm dhe janë plot dije dhe aftësi dhe imponohen në detyrat e tyre, në punën e tyre, ashtu sikurse për fat të keq kemi edhe nga ata të cilët kanë studiuar jashtë, kanë nxitur dhe familjet e tyre të sakrifikojnë dhe nuk kanë arritur ato rezultate të cilat do t’ia vlenin. Pra ato sakrificë që kanë bërë familjet e tyre. Sikurse kemi raste nga më të ndryshmet. Unë kam patur kënaqësinë që të shkoj në shumë vende, edhe në Evropën Lindore, edhe në Evropën Perëndimore t’i takoj studentët shqiptarë dhe shohim që ka ende një kërkesë të madhe dhe një presion për të bërë studimet jashtë për arsye të mosbesimit të sistemit universitar në vendin tonë dhe të faktit që shohim apo kemi vënë re deri tani që edhe një student që mbaron mirë, por edhe një student i cili thjesht ka marrë një diplomë, mund të barazohen në mënyrë të padrejtë dhe kjo gjithmonë ka bërë që dhe të rinjtë vetë, por dhe familjet e tyre të tentojnë për t’i arsimuar jashtë. Arsimim i tyre jashtë është një kontribut i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, padyshim, por absolutizimi mendoj se është gjithmonë i gabuar dhe unë jam i bindur se në rast se ju këtë dilemë ende nuk e keni zgjidhur, jam i bindur që e ardhmja e juaj kudo që ju studioni, në shoqëri apo jashtë, shpesh herë këto dhe nuk mund të ndahen sepse mund të kryeni këtu studimet e larta, mund të bëni një Master më pas, apo anasjelltas e kështu me radhë, e ardhmja juaj jam i bindur se është në Shqipëri dhe do të jetë në Shqipëri dhe ky është angazhimi ynë dhe do të jetë edhe angazhimi i juaj sepse sido që jetë, Shqipëria jo vetëm që është vendi ynë, por është një vend i mrekullueshëm,me resurse të jashtëzakonshme dhe mendoj që resursi më i rëndësishëm që ne kemi është gjenerata e juaj, e cila jo vetëm që s’duhet ta humbasë besimin tek e ardhmja e vendit, por absolutisht duhet ta rrënjosë sa më fort besimin se i takon asaj të drejtojë vendin dhe këtë do ta bëjë përmes pjesëmarrjes dhe organizimit të saj sa më të ndërgjegjshëm.

Pyetja ime është pak ndryshe nga të tjerat, në marrëdhëniet që keni ju me fëmijët tuaj. Cilat janë këto marrëdhënie, a tregoheni ju tolerant me ta se edhe ata kanë moshën tonë, janë adoleshent?

Padyshim që përpiqem të gjej sa më shumë kohë për të kaluar me ta. Natyrisht që jam tolerant, por jam edhe kërkues. Kjo natyrisht varet edhe nga vetë fëmijët. Toleranca është gjithmonë relative, megjithatë është e rëndësishme që ata të kërkojnë sa më shumë nga vetja. Kjo është padyshim besoj e rëndësishme që çdo njeri të kërkojë sa më shumë nga vetja sepse sigurisht kërkesat dhe pritshmëritë tona janë gjithmonë shumë të mëdha. Ajo që nuk toleroj është gënjeshtra dhe mashtrimi këtë e kam, dhe për fat mirë nuk më kanë zhgënjyer deri tani. Tek nota edhe toleroj sepse kuptohet që edhe 9 është shoqe e 10-ës.

Duke qenë se ne jemi në prag të zgjedhjeve vendore dhe shumë qytetar janë në protestë për betonizimin e zonës së liqeni. Cili është këndvështrimi juaj për këtë çështje?

Meta: Të jeni të sigurt se qëndrimi im dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim është gjithmonë në interes të qytetarëve, është gjithmonë në interes të hapësirave të gjelbërta dhe të blerta, të parqeve sportive, të këndit të lojërave për fëmijët, më shumë për tu çlodhur me absolutisht që vetëm që nuk duhet të humbin këtë hapësirë të gjelbërt që ku jemi, por duhet të zhvillojmë dhe duhet të rikuperojmë shumë hapësira të dëmtuara deri tani. Është një mundësi e shkëlqyer meqenëse Bashkia e Tiranës zgjerohet për të sjellë një vizion tjetër ndryshe nga deri tani për të ardhmen e kryeqytetit kështu që unë jam i bindur, dhe ju do të jeni gjithmonë në krahun e qytetarëve, të të rinjve, të të rejave dhe të moshuarve të Tiranës.

Duke patur parasysh që nuk mund të gjeja dot një pyetje, doja të ndaja një mendim timin. A që do të thosha është se para disa ditësh ju thatë një deklaratë ku shkonit me mendimin që në parlament të kishim një përfaqësim prej 50% të gjinisë femërore. A nuk mendoni dhe ju që kjo nuk është diçka e mundur dhe ndoshta është një sfidë shumë e madhe për tu arrirë ashtu siç pashë edhe shumë vajza që ju pyetën pak më parë, thanë që ne kemi pak të pamundur dhe e shohim një sfidë ndoshta që nuk arrihet. Si e shihni ju në këtë këndvështrim idenë e të arriturit 50% të përfaqësimit në Parlament?

Së pari kjo është një sfidë e arritur në kuptimin ligjor sepse forcat politike do të jenë të detyruara të garantojnë këtë përfaqësim të barabartë në listat për këshillin bashkiak. Mendoj se sfida që kemi ne të gjithë sëbashku sidomos vajzat edhe gratë kudo, është që realizojmë një përfaqësim sa më cilësor të këtij 50% në mënyrë që të gjithë atyre burrave dhe kryetarëve që shprehën skepticizmin e tyre, t’u bëjmë të mundur në të ardhmen që tu garantojmë atyre kuota që të jenë të mbrojtur që të mos dalin fare nga parlamenti.

(Marre me shkurtime)

SHKARKO APP