Meta: Shteti do të rrisë mbështetjen për sektorin e bujqësisë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u takua me fermerë dhe grumbullues të prodhimeve bujqësore me qëllim njohjen nga afër të problematikave të subvencionimeve në fushën e bujqësisë. Ndalesën e parë, ai e bëri në fermën e Sotiraq Papsalit në komunën Tërbuf të rrethit Lushnjë, ku sipërfaqja e serës është 1 ha dhe kapaciteti prodhues shkon në 700 kv në sezon.

Meta u njoh më nga afër me shqetësimet e administratorëve të kësaj ferme, në lidhje me subvencionimin e naftës dhe deklaroi se shteti do të jetë gjithmonë në krah të fermerëve për të mbështetur rritjen e prodhimit vendas. Ai theksoi gjithashtu se skema e subvencionimit duhet parë si një mundësi për të rritur më tej prodhimin dhe kapacitetin e fermave.

Më pas, kryetari i Kuvendit vijoi vizitën në pikën e grumbullimit të Ardian Kukas, aktivitet i përqendruar në import-eksportin e fruta-perimeve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë bashkëbisedimit, ai deklaroi se duhet të zhvillohet edhe një tryezë me fermerë dhe me grumbullues për të sqaruar paketën e re fiskale për bujqësisë. Kryetari i Kuvendit tha gjithashtu se paketa e re fiskale është një mbështetje e jashtëzakonshme për prodhimin vendas dhe për eksportimin e produkteve shqiptare jashtë vendit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ne do të vazhdojmë të komunikojmë për të gjitha këto pengesa dhe moskuptime. Duhet të zhvillojmë një tryezë edhe me fermerë dhe me grumbullues për të sqaruar paketën fiskale për bujqësinë, sepse është një mbështetje e jashtëzakonshme për prodhimin vendas dhe për eksportet. Dhe ju, duke qenë se përfaqësoni një nyje aq vendimtare dhe të rëndësishme që ka të bëjë me grumbullimin dhe me eksportin, duhet njëkohësisht të bashkërendoni me ne, me Drejtorinë e Bujqësisë këtu,por dhe me fermerët për të sqaruar të gjitha avantazhet që vijnë që nga barazimi i TVSH-së dhe nga zgjidhja e elementëve të tjerë të paketës fiskale. Ka një kërkesë të madhe për prodhime bujqësore për eksport jashtë vendit”, Meta.

Kryetari i Kuvendit garantoi se prioritet do të jetë mbështetja e bujqësisë dhe stimulimi i serave me qëllim rritjen e sasisë së prodhuar. E theksoi se rëndësi duhet t’i jepet dhe aplikimit të teknologjive të reja në fushën e bujqësisë.

“Është elementi kryesor i stimulimi në fushën e bujqësisë dhe prioritet do të jetë rritja e kapaciteteve të prodhimit me sera, jo vetëm mbështetja për subvencionimin e lëndës djegëse, por stimulimi i teknologjive të reja që ulin koston e ngrohjes, sepse kjo është vendimtare që aktivitetet të jenë të suksesshme. Do të jetë prioritet edhe për vitin e ardhshëm në mënyrë të veçantë”, tha gjithashtu Meta.

Kurse zv/ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Alban Zusi, theksoi se Ministria në paketën e saj të masave në mbështetje të biznesit agro-industrial ka parashikuar si një ndër masat edhe uljen apo dhe zerimin e kostove të regjistrimit për farat, fidanët, pesticidet të cilat janë dhe imputet bazë në këtë sektor.

“Pa diskutim që ky investim përbën një shfrytëzim maksimal të tokës duke krijuar të ardhurave maksimaliste për hektarë dhe tipikisht për këto lloj kultivimesh. Ministria e Bujqësisë në paketën e saj të masave në mbështetje të biznesit agro-industrial ka parashikuar si një ndër masat uljen apo dhe zerimin e kostove të regjistrimit për farat, fidanët, pesticidet të cilat janë dhe imputet bazë në këtë sektor. Ne jemi plotësisht të bindur se shumë shpejt do të kemi rritje të motivimit të fermerëve për të kultivuar akoma më tej terrenet me kultura sa më të mira dhe sa më të përzgjedhura për shkak të uljes së kostos së imputeve”, tha ai.

Në fund, kryetari i Kuvendit garantoi se shteti do të rrisë mbështetjen në Buxhetin e Shtetit për vitin e ardhshëm, jo vetëm për bujqësinë në përgjithësi, por në veçanti për rritjen e sipërfaqeve me sera. Dhe se Meta deklaroi se fermerët do të përfitojnë edhe nga subvencionimi i plasmasit.

“Zgjerimi i sipërfaqeve me sera është prioritet absolut për rritjen e prodhimit. Prandaj edhe mbështetja në Buxhetin e Shtetit për vitin e ardhshëm do të shtohet, jo vetëm për bujqësinë në përgjithësi, por në veçanti për rritjen e sipërfaqeve me sera dhe në rastin tuaj, do të përfitoni mbështetje dhe subvencionim për plasmasin në mënyrë të veçantë apo dhe për vaditjen me pika. Kur e ke serë, prodhimin e ke të mbrojtur nga shiu, nga breshëri dhe nga i ftohi dhe e kemi të domosdoshme të mbrojmë prodhimin e të rrisim rendimentin e tij. Kështu që do të keni mbështetje më të madhe për vitin që vjen”, përfundoi Meta.

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?