Meta takon Nishanin: Guvernatori i ri, do respektojmë të drejtën Kushtetuese të Presidentit

Meta theksoi se zgjedhja e Guvernatorit të ri është një proces që po shkon drejt finalizimit, ndërsa theksoi se Presidenti ka një rol dhe pozicion bashkëpunues për zgjidhjen e ngërcit në Bankën e Shqipërisë.

Kreu i Kuvendit tha se gjatë takimit nuk janë diskutuar emra konkretë për pozicionin e Guvernatorit të ri, por është diskutuar mbi procesin.

“Çështja kryesore ishte ajo e zgjedhjes së Guvernatorit të ri të BSH. Presidenti bëri një ekspoze të mënyrës si ka proceduar deri tani për të realizuar në kuadër të përmbushjes së detyrimit të tij kushtetues për të zgjedhur emrin e ri.

Në këtë drejtim është mjaft i hapur për zgjidhjen e kësaj cështje sa më shpejt në interest të BSH. U fol për procesin dhe rëndësinë e vajtjes tek një emër gjithnjë përmes procesit, jo paracaktimit të një emri, cilidoqoftë ai.

Ne do të respektojmë të drejtën kushtetuese të presidentit. Do të ofrojmë gjithë bashkëpunimin që ky emër të jetë garant i drejtimit profesional të BSH“, tha Kryetari i Kuvendit Ilir Meta pas takimit.

Gjatë ditës së sotme Kreu i Kuvendit Ilir Meta pritet të zhvillojë takime me Kryeministrin Edi Rama dhe Kreun e PD-së Lulzim Basha. Nishani po zhvillon takime me drejtuesit kryesorë politikë në vend përsa i takon zgjedhjes së Guvernatorit të ri.

SHKARKO APP