Meta: Të përfitojmë sa më shumë nga fuqia e artit dhe e kinemasë

Në kujdesin e Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta, Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të Edicionit të 11 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, në sallën e seancave plenare, u organizua shfaqja e filmit dokumentar Hollandez “Një histori Përndjekëse”.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë deputet, pedagog dhe student nga Shkolla e Magjistraturës, gjyqtarë, prokurorë dhe anëtar të stafit të Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”.

Në fjalën e tij në këtë aktivitet, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta përshëndeti iniciatorët duke vlerësuar kontekstin e filmit. ‘Unë duhet t’ju falënderoj juve, profesor Çashkun sepse ishte në fakt ideja juaj e shkëlqyer dhe natyrisht që për parlamentin është një nder dhe një privilegj që në një ditë të faktuar dhe në një moment mjaft të rëndësishëm dhe të reformës në drejtësi, që është një kryefjalë e gjithë procesit transformues të vendit me qëllim edhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ndryshe nga ato shfaqjet e të enjtes kemi një film mjaft domethënës. Unë nuk e di vërtetë se cili është subjekti i detajuar i filmit, por thelbi është që një i ri nga Sudani i jugut që ka studiuar në Britaninë e Madhe kthehet në vendin e tij me dëshirat dhe me ëndrrat për të zbatuar ato çfarë ai ka mësuar në një universitet britanik dhe me qëllim për të vendosur drejtësinë në një vend ku drejtësia mungon prej shumë kohësh dhe përplaset me një realitet shumë të vështirë” – tha z. Meta duke u shprehur më tej se: “Shpresoj që të jetë më e lehtë për të gjithë ata shqiptarë që kanë studiuar gjatë këtyre 26 viteve në Britani, SHBA, Evropë dhe kudo, për drejtësi dhe fusha të tjera, për të realizuar ato ëndrra dhe aspirata që ato kanë falë një kulture dhe edukimi të niveleve më të larta që kanë përfituar në vendin tonë dhe kjo do të ishte një shpresë e madhe që edhe kjo reformë, për të cilën aq shumë ende vazhdojmë të diskutojmë të ketë një zbatim sa më të suksesshëm. Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut është një ngjarje shumë e veçantë e përvitshme në vendin tonë. Ky vit është i veçantë sepse edhe Parlamenti bashkëpunon. Ne vetëm krijojmë këtë mundësi sot për të ndjekur këtë film me këtë subjekt kaq interesant, por njëkohësisht edhe ta kthejmë përsëri parlamentin edhe pas shfaqjes së filmit në një platformë diskutimi për të përfituar sa më shumë edhe nga fuqia e artit edhe ajo e kinemasë, pikërisht për të ftuar për një reformë dhe për një shoqëri, ku të drejtat e njeriut dhe dinjiteti njerëzor është mbi çdo gjë tjetër. Faleminderit të gjithëve!”

Në fjalën e tij, Drejtori ekzekutiv i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, z. Kujtim Çashku vlerësoi bashkëpunimin e Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta duke theksuar se kjo është një mundësi e mirë që arti të integrohet më shumë në politikë. “Përgjithësisht arti dhe kultura të jep më shumë mundësi reflektimi se sa politika e kufizuar në termin e politikës si koncept partie. Do me thënë kjo e zgjeron hapësirën e mendimit, krijon një kulturë tjetër të cilën unë e ndjej që vazhdimisht dhe më shumë neve na mungon në parlamentin shqiptar”,- u shpreh z. Çashku.

Presidenti i nderit i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut Theodore S. Orlin theksoi se ky është një eveniment shumë i rëndësishëm dhe se bashkëpunimi që po jep Kuvendi i Shqipërisë është mbresëlënës. “Ky është një event shumë i rëndësishëm për ne dhe jam shumë i lumtur që jam pranë jush. Kam qenë në Shqipëri për 24 vite dhe kam parë shumë ndryshime. Po të më kishit thënë që unë do të qëndroja këtu në këtë sallë dhe do të prezantoja në film mbi reformën drejtësi do të thoja që do të ishte e pabesueshme. Unë jam një realist dhe mendoj se Shqipëria ka nevojë për shumë ndryshime të tjera. Dhe vetë fakti që ne jemi ftuar nga vetë Kryetari i Parlamentin që të flasim për reformën në drejtësi është evolucionare. Do të doja ti kujtoja anëtarëve të parlamentit për konceptet bazike të demokracisë. Shpesh mendojmë që demokracia është shumica, por demokracia nuk mund të jetë e vërtetë nëse nuk ka edhe pjesën e minoriteteve dhe më e rëndësishmja është mbizotërimi i ligjit dhe nëse nuk ka mbizotërim të ligjit atëherë nuk ka asnjë mënyrë për të adresuar gabimet dhe të këqijat”,- theksoi z. Orlin.

SHKARKO APP