Meta-Veliaj përurojnë shkollën e Mesme të Bashkuar Farkë
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta mori pjesë në përurimin e rikonstruksionit të Shkollës së Mesme të Bashkuar në njësinë administrative, Farkë.Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputeti Artan Gaçi si dhe Administratori i Njësisë Farkë, Admir Abrija.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë për rindërtimin e kësaj shkolle, një investim i përbashkët i Bashkisë së Tiranës, Ambasadës së Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri dhe disa bizneseve. “Është kënaqësi për mua të marr pjesë sot dhe t’i bashkohem gëzimit të të rinjve, të fëmijëve të Farkës për inaugurimin e kësaj shkolle të rikonstruktuar, në fakt të rindërtuar nga e para, pasi fotot tregojnë degradimin e jashtëzakonshëm që ka përjetuar kjo shkollë. Por njëkohësisht edhe ajo çka shohim sot, tregon rilindjen e saj dhe për këtë dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Erjon Veliaj për përkujdesjen që ka treguar dhe që tregon për të gjitha shkollat, për të gjitha çerdhet dhe kopshtet e Bashkisë së re të Tiranë”, – tha z. Meta duke falënderuar të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për t’i siguruar fëmijëve të farkës kushte më të mirë për të mësuar.
“Falënderoj administratorët, këshilltarët për vëmendjen, për mbështetjen, falënderoj sipërmarrësit për kontributet e jashtëzakonshme që ata kanë dhënë, sepse fëmijët e të rinjtë e Farkës meritojnë kushte më të mira si këto që ne inaugurojmë sot për të mësuar, për t’u edukuar, për t’u formuar dhe njëkohësisht për të patur besim që ëndrrat e tyre do t’i realizojnë në vendin e tyre dhe në këtë vend kaq të mrekullueshëm siç është edhe vetë Farka”, – tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit u shpreh se kushtet e reja do të jenë nxitje për arritjen e rezultateve më cilësore në mësime për të gjithë nxënësit e Farkës.
“Prandaj, ju uroj suksese dhe mbarësi në këtë vit të ri shkollor dhe jam i bindur se ky ambient i ri, kjo shkollë e re, këto kushte të reja të standardeve më të larta evropiane do të jenë një nxitje për të gjithë ju për të mësuar dhe për të qenë në garë me njëri-tjetrin gjithmonë për të marrë dhjeta”, deklaroi z. Meta.
Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Tiranës falënderoi ata që me kontributin e tyre bënë të mundur që brenda dy muajve t’i japin nxënësve dhe të rinjve të Farkës një shkollë të denjë dhe mundësinë për t'u ndjerë në kushte dhe standarde njësoj si dhe bashkëmoshatarët e tjerë të Tiranës. “Ne vërtet sot bëjmë një shkollë, por presim diçka në shkëmbim. Ajo që unë pres si kryetar i Bashkisë dhe ajo që pret Ilir Meta si kryetar i Kuvendit dhe të gjithë ata që investuan, është që ju të jeni më të mirët dhe të jeni krenaria e Bashkisë së Tiranës, me rezultate nga ato që na bëjnë të gjithëve të ndihemi krenarë”, – u shpreh z. Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

