Metaliaj: Rama po e përdor postin për interesa të pista të luftës ndërpartiake

Intervistoi: Majlinda Noka

Deputetja e Partisë Demokratike, për Qarkut të Lezhës, Lindita Metaliaj akuzon drejtëpërdrejtë Edi Rama se po e shfrytëzon postin e tij të kreut të Qeverisë për interesa të pista të luftës ndërpartiake. E pyetur lidhur me aksionin e javë të fundit të opozitës, në një intervistë për “Koha Jonë”, Metaliaj sqaron se opozita nuk ka nisur një sulm kundër ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, por sipas saj, është ky i fundit i cili ka nisur një sulm kundër ligjshmërisë, rendit dhe sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Metaliaj iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës sot në sheshin para Kryeministrisë për të dhënë shembullin e tyre se refuzojnë të trajtohen në mënyrë poshtëruese nga një Kryeministër, e trajton shtetin si kompani private të tij dhe disa njerëzve pranë tij. “Ta demonstrojnë dinjitetin e tyre në protestë“-shprehet deputetja demokrate Lindita Metaliaj.

Znj. Metaliaj duket se opozita më shumë se rrëzimin e Qeverisë po i përqëndron energjitë e saj vetëm tek ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Pse kjo zgjedhje?

Opozita nuk ka nisur një sulm kundër ministrit të brendshëm, por është ministri i brendshëm i cili ka nisur një sulm kundër ligjshmërisë, rendit dhe sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Në manualet mbi sigurinë kombëtare kur institucionet, veçanërisht ministria e brendshme, kapen për brirësh dhe përdoren për llogari të njerëzve të dënuar për trafik dhe grupeve kriminale të cilat sfidojnë ligjin, kemi rrezik për sigurinë. Opozita ua ka bërë të ditur shqiptarëve këtë rrezik. Kërkohet largimi i Fatmir Xhafës, jo se nuk duhet largimi i Edi Ramës. Thjesht Fatmir Xhafaj është bërë simboli, rasti, prova më e plotë e një qeverisjeje e cila nga droga vjen dhe drejt drogës shkon. Çështja Xhafaj është vetëm maja e ajsbergut që duket.

26 maji është caktuar protesta e madhe e opozitës. Çfarë pritet të ndodhë sot para Kryeministrisë?

Nuk parashikoj asnjë incident në protestën e opozitës. Përhapja e lajmeve se do të ketë incidente bëhet nga zyra e propagandës dhe e manipulimit në Kryeministri, me qëllim për të dekurajuar pjesëmarrjen në protestë. Ndaj ftoj secilin qytetar që ka diçka për të thënë, që nuk pranon të trajtohet në mënyrë poshtëruese, që nuk e pranon shtetin si kompani private të disa njerëzve, ta demonstrojë dinjitetin e tij në protestë.

A mund të largohet qeveria vetëm me një protestë?

Qeveria mund të largohet edhe me një protestë, siç mund të mos largohet vetëm me një protestë. Mirëpo protesta i shërben forcimit të moralit të shoqërisë shqiptare, forcimit të reagimit, rritjes së guximit, mbajtjes gjallë të pretendimit të njerëzve për t’u trajtuar si njerëz dhe jo si skllevër, kjo i shërben largimit të shpejtë të një qeverie, e cila shkon kundër dinjitetit dhe kundër interesave legjitime të njerëzve.

Arrestimin e kryebashkiakut të Lezhës Z. Frrokaj e keni etiketuar si “gjueti e kundërshtarëve politikë” nga PS. Si e vlerësoni punën e z. Frrokaj? Meqë vitin e ardhshëm janë sërish zgjedhjet vendore, mendoni se ai duhet të rikandidojë për një mandat të dytë?

Vazhdoj të mendoj se arrestimi i z. Frrokaj kishte nxitje politike dhe jo, sepse kështu dua unë të mendoj, por sepse mënyra si u trajtua Kodi i Procedurës Penale, më bind për ketë. Kryeministri Rama, Bashkinë e Lezhës nuk e ka trajtuar si bashki me të cilën duhet të bashkëpunojë për t’iu përmirësuar qytetarëve të Lezhës shërbimet por e ka trajtuar si bashki të armikut të cilës nuk i duhen alokuar fonde e miratuar projekte. Pra, zoti Rama postin e kryeministrit, i cili është post publik dhe iu takon shqiptarëve, e ka përdorur për interesa të pista të luftës ndërpartiake. Në lidhje me rimandatimin e tij, nuk besoj se më takon mua të prononcohem tani, por nëse z. Frrokaj do të rikandidohet nga Partia Demokratike, do të ketë respektin tim dhe mbështetjen time të padiskutueshme.

Sa hapësira ka rinia demokrate brenda PD-së në qytetin e Lezhës? Mendoni se e është vlerësuar si duhet kontributi i tyre?

Për rininë nuk është kurrë mjaftueshëm, por si në Partinë Demokratike të Lezhës, si në drejtimin politik të bashkisë Lezhë, rinia është e përfaqësuar dhe e përfshirë. Ketë mund ta vërtetoni lehtësisht. Megjithatë, dua ta shfrytëzoj ketë hapësirë mediatike për të deklaruar se çdo djalë apo vajzë që dëshiron të angazhohet për të ndihmuar në përmirësimin e politikës dhe mbrojtjen sa më të mirë të interesave legjitime të lezhjanëve, do të gjejë tek unë mbështetje të përzemërt. Edhe pse rinia Lezhjane preferon te largohet nga vendi, pasi nuk sheh një të ardhme sot, në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria ,nga keqqeverisja e bandave në pushtet.

Si ju duket eksperienca juaj si deputete e qytetit të Lezhës?

Kam parë se njerëzit nuk presin nga deputetët të marrësh lugën dhe t’i ushqesh me dorën tënde, por presin thjesht dhe vetëm të japësh kontribut që puna e institucioneve të përmirësohet dhe njerëzit të kenë mundësi ta sigurojnë vetë jetën e tyre. Pra, institucionet, shteti, të mos jetë një pengesë më shumë, por një ndihmesë më tepër. Gjithashtu, kërkojnë t’i përfaqësosh me dinjitet, të jesh zëri i tyre në çdo dalje publike e kudo. Pritshmëritë e tyre janë të mëdha në këtë aspekt. Unë jam munduar të jap maksimumin tim.

PD-ja sapo ka dalë nga një proces zgjedhjesh brenda radhëve të saj, proces ky që shënoi dhe largimin e disa themeluesve të Partisë Demokratike. A mendoni se PD pas këtyre zhvillimeve brenda saj, është gati për të qenë alternativa qeverisëse që në zgjedhjet e para që do vijnë?

Unë vlerësoj kontributin e çdokujt në Partinë Demokratike, të cilitdo, që edhe një minutë të jetës së tij ia ka kushtuar mbrojtjes së interesave të demokratëve, vlerave të së djathtës dhe fitores së këtyre vlerave. Mendoj se Partia Demokratike i ka kualitetet e duhura intelektuale dhe morale për t’i fituar zgjedhjet. Pa dyshim që nuk është e lehtë, ka dyshime, ka mosbesim, ka propagandë me qëllim dekurajimin. Por, Partia Demokratike është gati t’i fitojë zgjedhjet në çdo moment.

SHKARKO APP