Mijëra gjoba për maskat, Vasili: Rama po bën show me pandeminë, situata është emergjente
Në një deklaratë nga selia e LSI-së, nënkryetari Petrit Vasili, analizoi situatën e pandemisë në vendin tonë. Sipas tij, qeveria ”Rama 2” vijon të bëjë show në një kohë që situatën e cilësoi si emergjencë. Sipas Vasilit, çdo ditë ka mijëra gjoba për maskat dhe asgjë për luftën me virusin vdekjeprurës. ”Kjo është situata e vërtetë dhe kjo situatë kërkon përballim, nuk kërkon show, nuk kërkon përralla kryeministrore me orë të tëra e nuk kërkon vaksinime spektakolare përpara televizionit, me trasta vaksinash, për të cilat në rast se Shqipëria do të kishte një drejtësi që funksionon, duhet të kishte filluar hetimi me kohë për mënyrën se si kanë ardhur, nga kanë ardhur, forma e transportit, garancia e tyre e të tjera gjëra të mëdha”,-tha Vasili.
Postimi i plotë
Të nderuar qytetare dhe qytetarë. Në këto muaj tepër të vështirë të dimrit, ku dihej dhe pritej që situata me Covid-19 do të rëndohej, pra pandemia do të merrte një rrugë edhe më të vështirë, konstatohet për fat të keq, e njëjta situatë kaosi dhe mungese kontrolli total nga ana e qeverisë, e cila ka zgjedhur që në ditët e para të kësaj pandemie, e deri më sot kur shkojmë afërsisht drejt 1 viti të përpalljes me të, që të bëjë propagandë në mënyrë të përditshme e të mos përballet seriozisht me problemin.
Shifrat janë kokëforta, vetëm dje ka pasur rreth 900 të infektuar, për saktësi 879. Kësaj situate, në vend që ti përgjigjen me analizë shumë të imët të saj, nxjerrjes së çdo shkaku, të çdo elementi që nuk funksionon dhe rindërtimit totalisht të punës në terren, ju e keni parë dhe vazhdoni ta shihni se si gënjen Kryeministri nga mëngjesi deri në darkë, se si shkojnë te muri i qendrës shëndetësore, që ka ekzistuar dhe ekziston prej kohësh, por këta i fusin një bojë dhe rrinë me shtatë kamerat e ERTV-së se si do ta shesin në publik dhe si do gënjejnë dynjanë.
Shifrat janë të vërteta, janë reale. Situata është shumë e vështirë në ekonomi. Procesi i ashtuquajtur i vaksinimit nuk ekziston. Pra, vaksinimi në Shqipëri nuk ekziston, nuk bëhet, ky është fakt. Trasta e vaksinave, me 900 e ca të tilla, e cila ka mbi dy javë që vjen vërdallë, siç e dini ka degraduar tërësisht si proces, pasi as nuk ka doza vaksinash të reja. Priteshin që sipas premtimeve zhurmëmëdha të Kryeministrit shqiptar se do të vinin në fillimin e javës së tretë, pra që më 15 janar, dhe asnjë lajm dhe asgjë tjetër nuk ka.
Qindra e mijëra të sëmurë, pasi shifra e të sëmurëve realë është shumë më e lartë se sa kjo që ekzaminohet, vetë trajtohen nëpër banesa, pa kujdes shëndetësor, pa mbështetje financiare dhe shqiptarët po robtohen e po shkatërrohen ekonomikisht e po futen në borxhe për të përballuar kurimin tepër të kushtueshëm nga COVID-19. Asnjë analizë nuk bëhet për humbjet e jetëve, ndonëse shifrat kanë qenë kritike dhe po nga kjo foltore kam ngritur qartë dhe prerë çështjen, që bëhet fjalë për mijëra të sëmurë që kanë humbur jetën, të cilët nuk janë evidentuar apo analizuar për të marrë masa të menjëhershme, urgjente, serioze, efikase për të përballuar situatën siç duhet.
Kjo heshtje e plotë dhe mbajtja e propagandës së një qeverie që ndërron vetëm modelet, format, ngjyrat dhe dizajnin e maskave, ky është një turp me pasoja shumë të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Për më tepër zyrtarë të kësaj qeverie kanë dalë dhe flasin për një lloj të ri koronavirusi, një shtamë të ri. Por çfarë shteti është ky? Si ka mundësi që një zyrtar çfarëdo flet për një gjë kaq të rëndë e kaq të madhe, kur në Shqipëri ka një të ashtuquajtur Komitet Ekspertësh, i cili duhet të analizonte nga pikëpamja epidemiologjike edhe virologjike gjithë të dhënat, të nxirrte konkluzionet e pastaj titullari i shëndetësisë, ministrja përkatëse, të dilte e të komunikonte me publikun, sepse ky komunikim ka të bëjë me një përgjegjësi shumë të rëndë publike dhe kombëtare.
Nuk është një fjalë e hedhur në erë apo për të krijuar alibinë, apo justifikimin e radhës për ç’organizimin total që ka kapur procesin e pandemisë, që në ditën e parë të shfaqjes së saj. Është shumë e qartë që qeveria ka vetëm një ‘sukses’, atë që të gjobisë qytetarët. I ka gjobitur dhe vazhdon ti gjobisë. Dhjetëra e mijëra gjoba, afërsisht 50 mijë i raportojnë me gëzim dhe me ekzaltim të jashtëzakonshëm këta batakçinj të qeverisë, ndërkohë që në vend që të raportonin se sa qindra familje ndihmohen me barna, me asistencë shëndetësore në banesë, etj, etj, ndërkohë që janë qindra qytetarë që marrin aparatin e oksigjenit me shpenzimet e tyre, që marrin qindra mijëra lekë barna.
Kjo është situata e vërtetë dhe kjo situatë kërkon përballim, nuk kërkon show, nuk kërkon përralla kryeministrore me orë të tëra e nuk kërkon vaksinime spektakolare përpara televizionit, me trasta vaksinash, për të cilat në rast se Shqipëria do të kishte një drejtësi që funksionon, duhet të kishte filluar hetimi me kohë për mënyrën se si kanë ardhur, nga kanë ardhur, forma e transportit, garancia e tyre e të tjera gjëra të mëdha. Ne e dimë që kjo drejtësi e mbyll gojën përpara korrupsionit, pasi shuka e parave ia zë gojën, por mendoja dhe mendojmë, jo vetëm unë por edhe shqiptarët, që së paku përpara humbjes së jetës dhe infeksionit do të kishin qenë shumë herë më të ndjeshëm, pasi mund tu vinte edhe në shtëpitë e tyre dhe ne nuk do të donim që këta të zemëroheshin apo të egërsoheshin kur tu vinte në shtëpi, por të hetonin që më përpara, që mos tu ndodhnin mijëra shqiptarëve këto gjëra që u ndodhin e që nuk kanë kontrollin dhe nuk kanë mbështetjen e qeverisë, e cila e ka për detyrë ta bëjë këtë gjë.
Qeveria përpiqet ta paraqesë sikur po u bën një favor shqiptarëve, sikur po u bën një nder, por nuk ka bërë asgjë përveçse i ka munguar detyrës, ka treguar qartë që është qeveria më e paaftë që ata kanë pasur ndonjëherë dhe që ka sloganin që jo tu përgjigjet dhe tu zgjidhë shqiptarëve hallin që ka, por tu thotë që kështu ndodh në të gjithë botën. Shqiptarët e dinë më së miri se çfarë ndodh në të gjithë botën, e dinë më së miri se ç ‘është Evropa, si i mbështet qytetarët e saj, financiarisht, me ndihmë mjekësore e me gjithë të tjerat dhe e dinë se ç ‘bëjnë batakçinjtë e qeverisë, të cilët edhe në kohë pandemie kanë pasur vetëm një hall, si e si të grabisin me tenderë sekretë, si të vazhdojnë tu japin para klientëve të tyre të Ndraghetës e si të vazhdojnë të konsolidojnë qeverisjen e Ndraghetës për qeverinë dhe jo të qeverisë për qytetarët. Faleminderit të gjithëve!