Mimoza Hafizi: Pse nuk ulet çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin?

Depuetja e LIBRA-s, Mimoza Hafizi nga foltorja e Kuvendit deklaroi se  çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin shqiptar, është ndër më të lartit në Europë.

Fjala sot në Parlament

Po flasim për një hua në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike, prandaj dua të fokusohem te çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin shqiptar, që është ndër më të lartit në Europë, në raport me të ardhurat për frymë. Edhe në vlerë absolute, ai është më i lartë se shumë vende rrotull nesh.
Aktualisht, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin shqiptar është i pajustifikuar dhe shkel normat e përcaktimit të tij nga ERE. Specialistët argumentojnë se ky çmim duhet të ulet. Duhet të ulet me rreth 10%.
Pse?
Për shumë argumente të detajuara dhe teknike, ndër të cilat njëri është për t’u përmendur. Eshtë rënia e humbjeve në rrjet.
Pse kanë rënë humbjet në rrjet? Edhe për një arsye të dhimbshme në fakt. Se ka rënë konsumi i energjisë elektrike. Se ka rënë fuqia blerëse për këtë mall, jetik për familjet dhe për ekonominë. Por s’është kjo çështja ku desha të fokusohem sot.
Ajo që dua të bëj thirrje nga kjo foltore është : ERE e ka për detyrë ta kërkojë uljen e çmimit të energjisë elektrike. Madje ERE dhe operatorët janë në shkelje të detyrimeve ligjore për të operuar me një çmim të ri.
Pse po ndodh kjo? Ka presion nga qeveria, sigurisht. Që të mblidhen më shumë lekë për tenderat thellësisht korruptivë dhe botërisht të njohur të OSHEE. Në kurriz të njerëzve të varfër. Ku janë zyrat e mbrojtjes së konsumatorit? Po shumë institucione të tjera, që e kanë për detyrë të mbrojnë njerëzit në nevojë?
Ulja e çmimit të energjisë elektrike, qoftë dhe me 10%, do lehtësonte sadopak me qindra mijë familje. Mbi të gjitha, ajo do të ndjehej tek qytetarët tanë që jetojnë në kushte ekstreme varfërie, varfëri e cila rëndohet edhe për arsye të çmimit të lartë të energjisë elektrike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Para 10 ditësh, ne dy deputetët LIBRA kemi propozuar një projektligj që e detyron shtetin shqiptar të llogarisë, të njohë e të marrë në konsideratë minimumin jetik. Sa është ky minimum? Ka një studim që llogarit se ai arrin në 160 mijë lekë të vjetra. Një arsye e këtij niveli është edhe çmimi i lartë i energjisë elektrike. A mund ta paguajnë këtë çmim familjet në varfëri absolute, pjesëtarët e të cilave jetojnë me më pak se 400 lekë në ditë? Janë 80 mijë familje të tilla, të zyrtarizuara. Edhe qytetarët që jetojnë me 6000 lekë në ditë, 45% e shqiptarëve sipas një studimi të BB, e kanë të papërballueshëm çmimin e lartë të energjisë elektrike. Shumë studime në terren tregojnë se një e dhjeta e të ardhurave në familjet e varfëra shkon për blerjen e energjisë elektrike, për ndriçim dhe ngrohje.
Të kthehemi te ky projektligj. Përmes tij, nuk po shkohet drejt uljes së çmimit të energjisë, por në kahen e kundërt.
Marrëveshja që propozohet kërkon rritjen e çmimit të prodhimit nga KESH. Kjo masë do të çojë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorin, në mos këtë vit, nga fundi i vitit 2017. A mund të lejojmë që jetë kjo tendenca e shpenzimeve për familjen shqiptare? Sigurisht që jo.
Kjo situatë, kjo tentativë, e bën dhe më emergjente kërkesën tonë për llogaritjen dhe njohjen e minimumit jetik, i cili përfaqëson madhësinë e të ardhurave në para që duhet të ketë çdo person për të siguruar kushte minimale për jetesë, pra për t’u ushqyer, strehuar, arsimuar, për transport e kujdes shëndetësor por edhe për t’u ngrohur e ndriçuar. Ngrohja dhe ndriçimi, përmes energjisë elektrike, janë elemente që peshojnë ndjeshëm tek ky tregues.
Shteti nuk mund ta mbajë kaq apo ta rrisë çmimin e energjisë elektrike, pa marrë parasysh rrëshqitjen në varfëri absolute edhe të shumë shqiptarëve të tjerë. Nëse ky veprim, kjo rritje çmimi, nuk shoqërohet me masat e llogaritjes së minimumit jetik dhe respektimit të tij me të gjitha rrjedhojat, ai do të jetë vrastar për një numër gjithnjë e në rritje shqiptarësh. Këto ligje e tentativa duhet të ndalen. Dje, isha në Fier. Eraldi, një i ri 30 e pak vjeçar nga Semani, pas shumë vitesh emigracioni në Greqi kishte ardhur të hapte një biznes të vogël, një furrë buke. Ai na tregoi duke u dridhur se si çdo ditë nuk i merrte lekët e bukës mjaft familjeve. Nuk ia bënte zemra t’i linte pa bukë, ata që s’kanë lekë as për bukën e gojës.
Po Eraldi dhe Eraldët do zgjidhin këtë gjendje skajore varfërie ? Se ka me qindra e mijra Eraldë vendi ynë solidar, ku qytetarët e ndjeshëm nuk durojnë ta shohin tjetrin pa bukën e gojës. Por ky problem nuk zgjidhet nga Eraldi, nëse shteti tenton të bëjë të kundërtën, të rëndojë familjet e varfëra.
Ne kërkojmë që minimumi jetik të llogaritet nga Këshilli i Ministrave dhe të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, përmes një debati të hapur përpara qytetarëve. Ky tregues i respektimit të dinjitetit njerëzor, ky kod i marrëdhënieve humane, nuk mund të rrijë më i panjohur dhe i papërfillur.
Po ta kishim para nesh këtë tregues, sot, në këtë sallë, kushdoqoftë ai që tenton rritje të çmimit të energjisë elektrike do ishte i detyruar të jepte krahas edhe zgjidhjen për familjet e varfëra e njerëzit në nevojë.
Përndryshe, Shqipëria me këto akte do të vijojë të kthehet në një vend edhe më të pajetueshëm për shumë nga qytetarët e vet, të cilët vetëm një shoqëri e verbër dhe një shtet johuman mund t’i shkelin kësisoj.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?