Mimoza Hajdarmataj: “Vota është e shenjtë, nuk bëhen pazare”
Letra e ambasadorit Lu, ku ju kërkonte deputetëve që të votonin reformën edhe nëse nuk arrihet konsensusi, për PD-në nuk ka qenë dhe aq shumë e mirëpritur. Lidhur me këtë, “Koha Jonë”, kontaktoi me disa deputetë demokratë, por disa refuzuan të prononcoheshin. Por deputetja e PD-së, Mimoza Hajdarmataj, në një prononcim për gazetën ka shprehur qëndrimin e saj personal lidhur me këtë letër.
E pyetur se si u njoh me letrën e ambasadorit Lu dhe çfarë ju është kërkuar nga ambasadori, deputetja deklaron se, ajo letër ka qenë në vazhdën e përpjekjeve për të gjetur kompromis, por e sheh veç si një letër të thjeshtë. Ajo shton se: “Mendoj se është një mjet komunikimi interesant, por nuk jam e sigurt për efikasitetin e saj. Përpos faktit që unë jam besimtare e fortë e pavarësisë së parlamentarizmit, por dhe disiplinës politike të grupit parlamentar, e shoh këtë letër thjesht një ftesë për bashkëpunim”,- theksoi deputetja demokrate.
E ndërsa për çështjen që deputetët votën e tyre e kanë personale dhe për thirrjen e ambasadorit Lu për votimin më 21 korrik edhe nëse nuk arrihet konsensusi, deputetja e opozitës ka një mesazh për ambasadorin Lu. Ajo është shprehur se, për një deputet, vota është e shenjtë, është pjesë e një komuniteti partiak ku një deputet merr pjesë. “Vota është e shenjtë, vota është një shumatore e vullnetit personal, partiak dhe e komunitetit që ti përfaqëson. Deri më tani reforma pavarësisht rëndësisë kombëtare dhe historike që ka, nuk mund të përdoret pafundësisht si pretekst për të zhvendosur vëmendjen e opinionit nga kriza e gjithanshme. Nuk mund të bëjmë kompromis në kurriz të parimeve të rëndësishme, siç është pavarësia e drejtësisë nga ekzekutivi, nga Parlamenti”,-deklaroi deputetja Hajdarmataj.
Ajo në fund ka lënë të nënkuptohet se nuk mund të bëhet kompromis me integritetin e figurave të gjyqësorit dhe sipas saj, kjo është një thirrje që kjo reformë të mos politizohet. Për më tepër, opozitarja, ka shtuar se më 21 korrik, do të japë votën e saj, për një draftin që ka konfirmuar vullnetin e demokratëve. “Do votojë draftin e PD-së”, shtoi Mimoza Hajdarmataj.
Redjon Shtylla
KOHA JONË SONDAZH

