Mini-Shengeni rrezikon të krijojë një hendek mes Kosovës e Shqipërisë

Media ndërkombëtare “Emerging Europe” i ka kushtuar një artikull nismës së liderëve të Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për krijimin e një Mini-Shengeni Ballkanik, duke theksuar se kjo marrëveshje mund të krijojë një hendek të madh midis dy shteteve shqiptare, Kosovës e Shqipëris.

Në vijim artikulli i plotë

Një nismë për krijimin e një zone “Mini-Shengen” në Ballkanin Perëndimor po krijon një çarje gjithnjë e më të madhe midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Ideja u përfol për herë të parë në tetor kur liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë ranë dakord të shohin mundësinë e krijimit të një zone për tregti të lirë, pa taksa, që do të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit midis vendeve pjesëmarrëse. Gjithashtu, u ftuan edhe Bosnja, Kosova e Mali i Zi për t’u bashkuar me shtetet iniciatore.

Që nga hedhja e idesë janë mbajtur dy takime. I fundit ishte në Tiranë, më 21 dhjetor, ku morën pjesë presidenti malazez Milo Gjukanoviç, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.

Pas samitit, Z. Vuçiç tha se ishin marrë vendime të rëndësishme për të promovuar tregtinë midis katër vendeve.

“Diskutuam se si të përmirësojmë tregtinë, të lehtësojmë lëvizjen e mallrave, shërbimeve dhe kapitalit dhe të marrim vendime të rëndësishme. Kjo është me shumë rëndësi për të gjithë rajonin”,-tha z. Vuçiç në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Rama shtoi se Komisioni Evropian e mbështet Mini-Shengenin dhe vitin e ardhshëm do të lëvrojë 1.2 miliardë euro vitin e ardhshëm për zbatimin e saj.

“Këto nuk janë kredi por grante,” tha zoti Rama.

Kosova ka refuzuar t’i bashkohet kësaj nisme, për të cilën kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka pohuar se është një mashtrim i krijuar për të hequr taksën 100% që Kosova vendosi mbi mallrat serbe dhe boshnjake vitin e kaluar në shenjë hakmarrjeje për refuzimin e tyre të vazhdueshëm për të njohur pavarësia e vendit.

“Ne nuk kemi nevojë për një Mini-Shengen me Serbinë kryeqytet”, tha ai. “Kjo është bërë për të hequr taksën 100%.
Kryeministri Rama iu përgjigj ashpër Haradinajt për këtë deklaratë, dhe e quajti zotin Haradinajn “gënjeshtar”.

“Z. Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri; ai gënjen për shkak të injorancës ose me qëllim, unë nuk kam qenë në gjendje ta zbuloj këtë dhe nuk kam ndërmend ta bëj, por e vërteta është se ai është një gënjeshtar”,tha z. Rama.

Deri në samitin e ardhshëm për krijimin e zonës Mini-Shengen, në Beograd në shkurt, ka të ngjarë që linja e ashpër e Z. Haradinaj, do të jetë shuar. Kosova aktualisht është në proces të formimit të një qeverie të re pas zgjedhjeve në tetor, me Albin Kurtin, i cili pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.
Së fundmi, Z. Kurti ka lënë të kuptohet se do të ndjkë një qasje të tjetër për negociatat me Serbinë, duke thënë se negociatat me Serbinë nuk duhet të përqendrohen në territore por në të drejtat e qytetarëve dhe nevojat e komuniteteve.

Sidoqoftë, zoti Kurti – i cili më parë ka mbështetur krijimin e një Shqipërie të Madhe, me Shqipërinë dhe Kosovën – e ka minimizuar nismën e Mini-Shengenit, duke deklaruar që Tirana duhet së pari të bëjë në një marrëveshje me Prishtinën.

Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja, si dhe Moldavia, janë tashmë pjesë e Zonës së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), e cila synon të lehtësojë lëvizjen e mallrave dhe tregtinë e lirë midis këtyre vendeve derisa ato të anëtarësohen në Bashkimi Europian.

Përktheu: Lindita Kokoli, Koha Jonë

Burimi: https://emerging-europe.com/news/mini-schengen-risks-driving-a-wedge-between-albania-and-kosovo/

SHKARKO APP