“Minishengeni”, flet kryediplomati i BE-së: Nisma të tilla duhet të përfshijnë gjithë rajonin

Qasja e vazhdueshme destruktive e Serbisë ndaj Kosovës dhe mohimi që Beogradi zyrtar ua bënë krimeve të kryera në Kosovë, nuk kanë qenë pengesë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, t’i hyjë një aventure të përbashkët me kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, për realizimin e një projekti të ashtuquajtur “Minishengen”, që synon të përfshijë brenda gjithë Ballkanin Perëndimor. Një ide e tillë është refuzuar plotësisht nga Kosova, e një qëndrim i tillë i Prishtinës zyrtare e ka zemëruar Edi Ramën, i cili në çdo takim të mbajtur ka akuzuar Kosovën se po vetizolohet duke mos u bërë pjesë e Minishengenit. Deklarata të tilla Rama i kishte bërë edhe pse ishte pajtuar që një ide e tillë të ngjizej në Novi Sad, qytet në të cilin nuk mund të imagjinohet se si do të merrte pjesë Republika e Kosovës duke pasur parasysh raportet me Serbinë. Gjithë këto zhvillime dhe refuzimi i Kosovës lënë shumë paqartësi se si do të mundë të implementohet një nismë e tillë, pasi që nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë që aty të përfshihen të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosova.

Në një përgjigje të dhënë për Gazetën Express, zyra e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, thotë se nisma të tilla rajonale duhet ta përfshijnë gjithë rajonin, dhe gjithashtu kanë përmendur edhe samitet për Ballkanin Perëndimor që do të organizohen nën patronatin e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2020, si një mundësi e mirë për të shtyrë përpara agjendën për integrimin ekonomik të rajonit.

“Me të vërtetë, bashkëpunimi rajonal është një element esencial për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e gjashtë marrëveshjeve të arritura në kuadër të Stabilizim Asociimit. Është e rëndësishme që iniciativat rajonale të përfshijnë të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor dhe të jenë të bazuara në rregullat e Bashkimit Evropian, të bazuara në përgjegjësitë të cilat janë marrë më herët. Liderët tashmë kanë një mundësi të shkëlqyeshme për të zhvilluar një agjendë ambicioze për të ardhmen e integrimit ekonomik rajonal, në funksion të Samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb dhe gjatë udhëheqjes së procesit të WB6 nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në vitin 2020”, ka thënë një zëdhënës i Bashkimit Evropian për Gazetën Express.

Të pyetur se pse përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell, nuk ka marrë pjesë në Samitin e fundit të organizuar në Tiranë, BE-ja ka thënë se në Shqipëri janë përfaqësuar nga drejtori për Ballkanin Perëndimor.

“Bashkimi Evropian është përfaqësuar në Samitin e 20-21 dhjetorit në Tiranë nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor i Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim të Komisionit Evropian. Ne gjithmonë ndjekim nga afër Samitet e Ballkanit Perëndimor si dhe zhvillimet që ndërlidhen me iniciativat rajonale në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

Ndër të tjera kanë paralajmëruar se në javët e ardhshme Josep Borell do t’i vizitojë Serbinë dhe Kosovën, duke qenë se Ballkani Perëndimor do të jetë një prej prioriteteve përgjatë mandatit të tij.

“Përfaqësuesi i Lartë dhe zv. Presidenti Josep Borell e ka bërë mjaft të qartë që Ballkani Perëndimor do të jetë një prej prioriteteve përgjatë mandatit të tij. Ai është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe atë të Shqipërisë në javët e para të mandatit të tij, dhe synon që të udhëtojë në Serbi dhe në Kosovë në javët e ardhshme” , ka thënë nga zyra për media e Josep Borell.

Bashkimi Evropian, gjithashtu, ka rikujtuar faktin se vetëm gjatë vitit që po lëmë pas ka dedikuar për Ballkanin Perëndimor 1.2 miliardë euro, ndërkohë paralajmëron edhe 1.3 miliardë euro të tjera gjatë vitit 2020.

“Më lejo që gjithashtu të rikujtoj që Bashkimi Evropian është donator dhe partner politik e tregtar më i rëndësishmi për Ballkanin Perëndimor. BE i ka dedikuar në vitin 2019  1.2 miliardë euro në kuadër të (IPA) për të mbështetur investimet dhe implementimin e reformave për partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe për të nxitur  bashkëpunimin rajonal në të mirë të gjithë qytetarëve dhe rajonit. Për vitin 2020, ne presim që të mobilizojmë edhe 1.3 miliardë euro të tjera në mbështetje të partnerëve tonë në Ballkanin Perëndimor” , thuhet ndër të tjera në përgjigje.

Në fund thuhet se BE-ja do të përkrahë iniciativat të cilat sjellin përfitime për qytetarët dhe që e afrojnë rajonin me BE-në.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që sjellin përfitime për qytetarët dhe për ta afruar rajonin sa më afër Bashkimit Evropian”, ka përfunduar zëdhënësi i Bashkimit Evropian.

Qëndrim pothuajse i ngjashëm për Minishengenin është dhënë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy përfaqësuesit specialë për Ballkanin Perëndimor e për Dialogun Kosovë-Serbi, Matthew Palmer dhe Richard Grenell, kanë thënë se një iniciativë e tillë nuk mund të funksionojë pa Republikën e Kosovës.

Mbetet të shihet se cila do të jetë qasja ndaj minishengenit nga qeveria e re që pritet të krijohet në Kosovë, e që me shumë gjasë do të drejtohet nga Albin Kurti si kryeministër.

Kurti e kishte kritikuar Edi Ramën për faktin se në një iniciativë të tillë kishte konsultuar më përpara Serbinë se Kosovën. Ndërkohë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se Edi Rama është dashur të pezullojë të tilla aktivitete derisa Kosova gjendet në një periudhë tranzicioni dhe pa qeveri.

Vendimi i Kosovës për ta bojkotuar takimet e Minishengenit ka bërë që kryeministri i Shqipërisë të drejtojë akuza për krerët e politikës kosovare, dhe ka nxitur polemika të shumta Shqipëri-Kosovë.

SHKARKO APP