Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Serbisë e Italisë takohen në Romë

Tre ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Serbisë dhe Italisë janë takuar sot në Romë, në kuadër të një nisme të diplomacisë italiane për të nxitur dialogun në Ballkan, ku Tirana dhe Beogradi shihen si dy faktorët më të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.

Ministri italian i jashtëm Paolo Gentiloni pati fillimisht dy takime të veçanta me homologun shqiptar Ditmir Bushati dhe atë serb Ivica Daçiç, përpara se të niste takimi tre palësh. Në përfundim të tij, në një konferencë të përbashkët shtypi, ai u shpreh se “ky takim i parë trepalësh është dhe një mesazh i qartë drejtuar Europës”, ndërsa nënvizoi se për Italinë, integrimi europian i Shqipërisë dhe Serbisë “është një angazhim strategjik, i cili duhet bashkëndarë edhe me Europën”. Sipas ministrit italian “takimi i sotëm është i rëndësishëm për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve”, duke uruar që “ky të jetë një hap i parë për të ecur përpara dhe në muajt që vijnë”.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, në fund të dhjetorit të shkuar, kryeministri italian Matteo Renzi, deklaroi se shpresonte që dhe ai vetë të mirëpriste në Romë një tjetër takim trepalësh në nivel kryeministrash.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë qenë prej kohësh në nivele formale. Vizita në muajin nëntor e kryeministrit Edi Rama në Beograd, shënoi një hap të rëndësishëm, pavarësisht tensionit me të cilin u prit nga kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, qëndrimi i Tiranës lidhur me Kosovën.

“Takimi i sotëm i kontribuon stabilitetit në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë” u shpreh ministri Ditmir Bushati, duke theksuar se vullneti i palës shqiptare në këtë drejtim ishte dëshmuar dhe me vizitën e kryeministrit Rama në Serbi. Sipas zotit Bushati “dialogu duhet të pasohet dhe nga një forcim i shkëmbimeve tregtare duke rrëzuar paragjykimet ekzistuese”.

Frymës së bashkëpunimit i ka mëshuar edhe ministri serb Ivica Daçiç. “Ne duhet të mësohemi të flasim për të gjitha problemet, edhe kur për to nuk kemi konsensus. Duhet të përqendrohemi te pikat që na bashkojnë dhe jo te ato që na ndajnë”, u shpreh Daçiç.

Nisma e Italisë është propozuar që pranverën e vitit të shkuar, nga ministrja e atëhershme italiane Emma Bonino. Ajo u rikonfimua dhe nga pasuesja e saj Federica Mogherini, e cila aktualisht është Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian, ndërsa u konkretizua nga kreu aktual i diplomacisë italiane Gentiloni.

SHKARKO APP