Ministri Bushati: Pse do të shkojmë në Beograd
Në një intervistë për Revistën “Java”, Bushati thekson se është plotësisht e mundshme që të ketë marrëdhënie të mira midis dy vendeve.
“Shumë gjëra na ndajnë me Serbinë, gjëra që në thelb mund të thuhet se ndajnë Serbinë me BE-në, dhe Serbinë me perëndimin. Por nga ana tjetër është plotësisht e mundshme të kemi marrëdhënie normale me Serbinë, një shtet me të cilin jemi sëbashku në shumë organizata rajonale dhe me të cilin jemi në të njejtën rrugë për t’u bërë anëtarë të BE-së. Kjo do të sjellë edhe uljen e disponimeve të ndryshme jo pozitive”, shprehet Bushati .
Kryediplomati shqiptar thotë se dialogu është boshti i diplomacisë dhe është më frutdhënës se sa bojkoti, ndërsa shton se vizita ne Beograd është një hap i drejtë dhe mbi të gjitha në momentin e duhur.
“Konteksti në të cilët pritet të zhvillohet takimi i dy Kryeministrave, vetëm pak javë pas “Konferencës së Berlinit”, dëshmon rëndësinë që dy shtete tona i japin bashkëpunimit rajonal dhe procesit të afrimit të rajonit me Bashkimin Europian, përmes projekteve të karakterit ekomomik e infrastrukturor”, shprehet Bushati.
I pyetur në lidhje me çështjet problematike me Greqinë, Bushati sqaron se : “Tre janë nivelet e çështjeve dypalëshe me fqinjin jugor që lipset të adresohen. Fillimisht janë çështjet e trashëguara nga e kaluara, më pas çështjet që kanë një impakt praktik në jetën e përditshme të shtetasve tanë dhe së fundmi ato që mund të konsiderohen si çështje të përditshmërisë. Në lidhje me të ashtuquajturën projekt-marrëveshje të detit me Greqinë, nuk dëshiroj të zgjatem në shkeljet ligjore, përgjegjësitë politike të qeverisë Berisha apo në mënyrën se si u procedua për përgatitjen e saj. Eshtë në interesin e të dyja palëve që kjo çështje të adresohet në bazë të parimeve dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare”, sqaron Bushati.