Ministri Gonxhja: 150 familje të strehuara në Vlorë, qytetari në qendër të çdo investimi

Në qytetin e Vlorës janë strehuar 150 familje në kushte dinjitoze falë bashkëpunimit mes bashkisë dhe Entit Kombëtar të Banesave dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ministri i MEKI, Blendi Gonxhja pa nga afër cilësinë e punimeve në pallatet e reja dhe zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët që gëzojnë një strehë dinjitoze.
”Përmes investimeve strategjike në banesa me kosto të ulët dhe standarde të larta ndërtimi, po ndërtojmë jo vetëm çati, por edhe mundësi për një jetë më të sigurt e të qëndrueshme.
Nga godinat modeste të së shkuarës ndërtuar pa standarde dhe pa vizion afatgjatë, në pallate moderne me infrastrukturë të zhvilluar, Enti Kombëtar i Banesave ka bërë një transformim rrënjësor, duke vendosur qytetarin në qendër të çdo investimi”.
Që nga miratimi i ligjit të vitit 2018, nga programet e strehimit social kanë përfituar në total 22840 familje ose 82 mijë qytetarë. Për vitin 2025 pas thirrjes së MEKI-t për investime, kanë ardhur aplikime nga 43 bashki me 55 projekte strehimi gjithsej.
Për vitin 2025 Ministria Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit hapi thirrjen për 530 kuota të reja për t’iu ardhur në ndihmë 530 familjeve apo të rinjve e të rejave, të cilët punojnë me përkushtim në administratën publike.