Ministri Mazniku: Do të rrisim pagat e punonjësve të bashkive, do të forcojnë edhe rolin e Prefektit
Për të mbajtur profesionistët në punë edhe në njësitë vendore larg qendrave urbane, qeveria po parashikon të rrisë pagat e punonjësve të bashkive. Ministër Shteti për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha në ”Klan News”, se do të ngrihet edhe një akademi për trajnimin e tyre.
“Jemi në fazën e bërjes së një analize të detajuar për të bërë rishikimin e pagave të bashkive në të gjithë nivelin, në mënyrë që të kemi mundësi që dhe ashtu siç është bërë me pagat e administratës publike dhe gjithë funksioneve publike, gjatë 2 viteve të fundit të kemi mundësi që edhe bashkitë të bëhen përfituese të një rritje të nivelit të pagave në të gjithë Shqipërinë. Që të kenë mundësi edhe ata që të jenë në nivel kompetitiv në raport me tregun, për funksionet specifike profesionale. Jemi duke punuar tashmë bashkë me mbështetjen e qeverisë zvicerane për të krijuar një akademi të trajnimit të stafeve teknike të bashkive, për detyra që kanë të bëjnë me financën, urbanistikën, taksën, planifikimet e investimeve ekonomike”,-tha ministri Mazniku.
Ndarja aktuale në 61 bashki dhe 12 qarqe është kundërshtuar fort nga opozita. I pyetur nëse do të ketë ndarje të re territorial, Mazniku nuk e vë rëndësinë tek numri. Socialistët duan që veç pushtetit vendor, të forcojnë edhe rolin e Prefektit.
“Prefekti sipas ligjit të ri bëhet drejtuesi i një komisioni të përbashkët mes institucioneve qendrore të decentralizuara dhe pushteti vendor të territorit, për të krijuar Komisionin e Sigurisë Publike, që merret me mbulimin e çështjeve tërësore të sigurisë publike. Që nuk ka të bëjë thjeshtë me policimin, po ka të bëjë dhe me sigurinë ndaj mjedisit, sigurinë publike, në një pamje më të gjerë, që përfshin dhe çështje sociale, e ekonomike”.