Ministri Mazniku në Bruksel: Me kolegët e bashkive për të ngritur Këshillin e përbashkët konsultativ
Arbjan Mazniku, ministër Shteti për Pushtetin Vendor, ndodhet në Bruksel, siç edhe tregon në një postim në Facebook. Takimi është për të ngritur Këshillin e Përbashkët Konsultativ me Komitetin Europian të Rajoneve. ”Qeveria është e angazhuar në trajnimin e stafit të bashkive për të qenë të afta të zbatojnë këto reforma dhe të përftojnë më shumë fonde nga programet e ndryshme të BE”,-shkruan Mazniku.
Postimi i plotë
Në Bruksel, bashkë me kolegët e Bashkive, për të ngritur Këshillin e Përbashkët Konsultativ me Komitetin Europian të Rajoneve. Bashkëpunimi në këtë Këshill është thelbësor duke marrë parasysh se 70% e legjislacionit europian (acquis communitaire) do të zbatohet në nivel vendor.
Qeveria është e angazhuar në trajnimin e stafit të bashkive për të qenë të afta të zbatojnë këto reforma dhe të përftojnë më shumë fonde nga programet e ndryshme të BE.
Për të forcuar pushtetin vendor, qeveria do të ndërmarrë hapin e domosdoshëm të rritjes domethënëse të pagave për punonjësit e tyre. Po ashtu, miratimi i Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh nga Parlamenti Europian së fundmi, do të jetë instrument shumë i nevojshëm dhe ndihmues për zhvillimin e zonave lokale.