Ministri Mazniku: Numri i bizneseve në zonën ekonomike në Elbasan pritet të dyfishohet
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, njëherësh edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku u shpreh sot se investimet strategjike në Elbasan janë një mundësi që do e kthejnë këtë qytet në një qendër të zhvillimit ekonomik.
Në një bashkëbisedim me biznesin për “Paqen Fiskale”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Mazniku tha se zona ekonomike në Elbasan ku shteti është partner, ka rreth 11 kompani të pranishme që punësojnë rreth 200 persona dhe mbetet një model i bashkëpunimit të suksesshëm mes shtetit dhe sektorit privat duke krijuar mundësi për investime të huaja, por edhe punësim.
“Qarku i Elbasanit është duke kaluar një moment shumë të rëndësishëm si rrjedhojë e disa investimeve të rëndësishme që janë në proces, rruga Lekaj-Elbasan, bajpasi i Elbasanit, rruga nga Krasta në Qafë Thanë si edhe projekti i hekurudhës, që i japin mundësi Elbasanit që të kthehet në qendër të zhvillimit ekonomik ku shumë kompani vijnë dhe investojnë në tërësi këtu”, tha ai.
Sipas Maznikut, zona e Metalurgjikut ka një potencial të jashtëzakonshëm për të shumëfishuar sasinë e prodhimit, ndërsa në një periudhë 5-6 vjeçare numri i bizneseve që zhvillohen në zonën Ekonomike dhe Metalurgjik pritet të dyfishohet duke sjellë një potencial të jashtëzakonshëm.
“Nëse Elbasani kontribuon 7% të PPB të vendit, 5% e gjithë volumit prodhohet në zonën Ekonomike të Metalurgjikut, dhe me potencialin e dyfishimit të asaj ekonomie që zhvillohet në zonën e Metalurgjikut, impakti jo vetëm në Elbasan, punësim dhe xhiro ekonomike në gjithë vendin është shumë i madh”, pohoi Mazniku.
KOHA JONË SONDAZH

