Ministri Salla nga Shkodra: Dyfishim i mbështetjes për bletarinë, mbi 700 aplikime në Skemën Kombëtare
Mbështetja për sektorin e bletarisë është dyfishuar këtë vit, ndërsa mbi 700 bletarë kanë aplikuar në Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla zhvilloi një takim me një grup bletarësh në Shkodër, ku diskutoi nga afër nevojat dhe problematikat e sektorit, si dhe mundësitë për rritjen e produktivitetit, përmirësimin e cilësisë së produkteve, shëndetin e bletëve dhe zgjerimin e aksesit në treg.
Në fokus të mbështetjes, sipas Sallës janë edhe investimet në pajisjet e nevojshme për aktivitetin e bletarëve. Përmes masave të investimeve, financohet deri në 50% e kostove për pajisje, përfshirë kosheret, centrifugat, si dhe pajisjet për ruajtjen dhe përpunimin e mjaltit.
“Këtë vit kemi dyfishuar mbështetjen për bletarinë, ndërsa mbi 700 bletarë kanë aplikuar në Skemën Kombëtare. Përmes masave të investimeve, mbështesim deri në 50% edhe pajisjet që u nevojiten bletarëve, nga kosheret dhe centrifugat, te pajisjet për ruajtjen dhe përpunimin e mjaltit”, tha ai.
Ministri Salla, edhe më herët i ka ftuar fermerët dhe bletarët që të përfitojnë nga skemat e tjera të mbështetjes, përfshirë kompensimin në masën 10% të vlerës së faturave të shitjes, si dhe kredinë e butë me garanci shtetërore, e cila synon të lehtësojë investimet, zgjerimin e aktiviteteve dhe fuqizimin e sipërmarrjeve bujqësore.
Skema Kombëtare e Mbështetjes 2026 është pjesë e politikave të qeverisë për zhvillimin e bujqësisë, rritjen e produktivitetit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së fermerëve shqiptarë.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

