Ministrja Anila Denaj “na deh” me livandot e Kushovës, këtë aromë zhvillimi dhe shpresë për të ardhmen rurale

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Anila Denaj, ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një mozaik pamjesh magjepsëse nga fushat e livandos në fshatin Kushovë të Gramshit, një peizazh që të mrekullon dhe që më shumë se një bukuri natyrore, është një premtim për një model të qëndrueshëm zhvillimi rural.
Në një ndër zonat më të thella e më pak të eksploruara të Shqipërisë së Mesme, ku dikur tokat mbeteshin të papunuara dhe shpresat për një jetë më të mirë shuheshin me mungesën e mundësive, sot ka mbirë livanda, kjo bimë aromatike e dashur nga Mesdheu deri në Alpet franceze, që në Kushovë ka gjetur jo vetëm klimën, por dhe zemrat e punës së ndershme të banorëve vendas.
Pamjet që ndan Ministrja Denaj janë një himn i qetësisë, i rendit të natyrës dhe harmonisë me njeriun. Vjollca e livandos që shtrihet në valë të lehta përtej kodrave, dhe mbart në vete aromën e një bujqësie të re, asaj që nuk është më vetëm për mbijetesë, por për cilësi, turizëm, eksport dhe identitet.
Në postimin e saj, Ministrja bashkë me urimin mirëmëngjesi dhe një të diel të qetë, shpreh vlerësimin për fermerët që kanë zgjedhur të investojnë në bimë mjekësore dhe aromatike, si një formë e re bujqësie që i jep vlerë shtuar tokës, promovon punësimin lokal dhe sjell më pranë vizionin për një bujqësi inovative, ekologjike dhe konkurruese në tregun europian.
Lavanda në Kushovë nuk është thjesht një kulturë bujqësore, ajo është simbol i transformimit, i kthimit të vëmendjes drejt zonave të harruara, ku natyra ka ruajtur pastërtinë dhe potencialin, dhe ku me pak mbështetje institucionale, fshati mund të rilindë si qendër prodhimi, turizmi rural dhe kulture.
Kjo iniciativë, përveçse një pamje që të mbush sytë dhe shpirtin, është një thirrje për të kuptuar se zhvillimi fillon nga toka dhe se një aromë e thjeshtë livandoje mund të sjellë një valë të re shprese për komunitete të tëra që jetojnë në kufijtë e harresës.
Albert Vataj