Ministrja Delina Ibrahimaj: Vetëm 9% e ndërmarrjeve shqiptare përdorin IA, duhet të kapim ritmin e kohës
“Vetëm 9% e ndërmarrjeve shqiptare mund të përdorin inteligjencën artificiale apo janë duke e përdorur inteligjencën artificiale, ndërkohë që ne vijojmë të jemi një vend i cili ka nivelin e produktivitetit të ulët, gati 1/3 e mesatares së Bashkimit Evropian”.
Kështu deklaroi ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në Forumin e Dytë të Inovacionit, me fokus Inteligjencën Artificiale dhe zhvillimin e sektorit të teknologjisë në Shqipëri, qëzhvilloi punimet sot në Tiranë me pjesëmarrjen e kryeministri Edi Rama.
Ibrahimaj tha se diskutimi për inovacionin nuk duhet të kufizohet vetëm te Inteligjenca Artificiale, por duhet të shtrihet edhe te infrastruktura, aksesi në tregje dhe ndërkombëtarizimi i produkteve, teknologjisë dhe inovacionit shqiptar.
“Sot, një vit pas, jemi në një tjetër moment. Gjithnjë jemi të ndërgjegjshëm që inteligjenca artificiale ka prekur çdo komponent të jetës, po ndryshon mënyrën se si prodhohet, po ndryshon mënyrën se si ofrohen shërbimet, po ndryshon pa diskutim aftësitë e kërkuara për t’i përgjigjur kësaj sfide, dhe gjithashtu duhet të ndryshojë dhe të gjithë ekonominë shqiptare”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, fokusi duhet të jetë te mënyra se si Inteligjenca Artificiale mund të përdoret më mirë nga sektori privat për të nxitur zhvillimin ekonomik.
“Ne duam që diskutimi të përqendrohet tek kjo: se si mund të përdoret më mirë inteligjenca artificiale në sektorin privat për zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Ibrahimaj.
Ministrja vuri në dukje peshën që kanë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në ekonominë shqiptare, duke theksuar se ato përbëjnë rreth 99,8% të ndërmarrjeve, rreth 80% të punësimit dhe rreth 75% të vlerës së shtuar në ekonomi.
Megjithatë, sipas saj, niveli i përshtatjes së këtyre bizneseve me teknologjitë e informacionit dhe veçanërisht me Inteligjencën Artificiale mbetet i ulët.
“Kemi një paradoks të madh në fakt, sepse ne kemi një popullatë e cila ka akses në shërbimet digjitale, e cila ndonëse mund të ketë një nivel të lartë të edukimit digjital, e nxitur edhe nga politikat shtetërore për digjitalizimin e të gjitha shërbimeve publike, praktikisht individët dinë të përdorin mjete elektronike, ndërkohë që bizneset mbeten me një nivel shumë të ulët të adaptimit”, deklaroi Ibrahimaj.
Ajo tha se potenciali i përdorimit të teknologjisë nga bizneset është shumë më i madh, duke sjellë si shembull faktin se vetëm një pjesë e ndërmarrjeve përdorin faqet e internetit për shitje.
Ibrahimaj theksoi se përdorimi i Inteligjencës Artificiale mund të jetë një nga instrumentet për të kapërcyer hendekun e produktivitetit dhe për të krijuar avantazhe të reja konkurruese për ekonominë shqiptare.
“Ne besojmë fort që vetëm nëpërmjet përdorimit të inteligjencës artificiale ne do të arrijmë që të mund të kapërcejmë këtë hendek që ekziston të produktivitetit dhe sigurisht që këtë bisedë nuk mund ta bëjmë bashkarisht nëse nuk bëjmë një përpjekje të përbashkët për të ndërtuar një ekosistem të ri ekonomik”, tha ajo.
Sipas ministres, Shqipëria duhet të ndërtojë avantazhe të reja konkurruese, duke shfrytëzuar potencialin që ka në teknologji, inovacion dhe kapital njerëzor.
“Avantazhet kompetitive të Shqipërisë nuk janë më ato që kanë qenë vite më parë, por duhet të jenë komplet të tjera. Dhe duke shfrytëzuar potencialin që ne tashmë e kemi në maksimum, ne mund të arrijmë dot që të kapim ritmin e kohës”, theksoi Ibrahimaj.
Në këtë drejtim, ministrja nënvizoi rëndësinë e një përpjekjeje të përbashkët mes institucioneve, biznesit dhe aktorëve të ekosistemit të inovacionit, veçanërisht për zhvillimin e infrastrukturës, financimeve dhe aftësive të nevojshme.
“Unë jam shumë optimiste që ne, duke u ulur bashkë, duke diskutuar bashkë dhe duke ndërtuar ekosistemin e nevojshëm, qoftë në drejtim të infrastrukturave që duhen për t’u zhvilluar, qoftë në drejtim të financimeve që shërbejnë për t’u zhvilluar, por edhe në drejtim të aftësive që do të duhet të kemi dhe të ndërtojmë, ne besoj se do të arrijmë në një konkluzion sot”, përfundoi ministrja Ibrahimaj.
KOHA JONË SONDAZH

