Ministrja e Arsimit: 14 mijë libra të gjuhës dhe kulturës shqiptare për fëmijët e diasporës

14 mijë libra “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare” për fëmijët e diasporës, të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit janë nisur pranë selive diplomatike shqiptare, për të siguruar që fillimi i vitit të ri shkollor t’i gjejë klasat e gjuhës shqipe në diasporë me tekstet e reja.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu tha se MAS është e angazhuar të mbështesë fëmijët e diasporës, të cilët do të kenë këtë vit edhe Nivelin II të librit të përbashkët “Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare”.

“Përpara vitit të ri shkollor po bëjmë të mundur shpërndarjen e teksteve në diasporë. Edhe në këtë vit, në Vitin e Gjuhës Shqipe, kemi qenë të gjithë të angazhuar të ecim sa më shpejt për çfarë nevojitet, për sa i përket kompletimit me tekste të niveleve të ndryshme në gjuhën shqipe. Janë më shumë se 14 mijë tekste, të cilat janë dërguar në diasporë” tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja tha se në Vitin e Gjuhës Shqipe, angazhimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka qenë maksimal për të siguruar kompletimin me tekste të niveleve të ndryshme në gjuhën shqipe në shkollat e gjuhës shqipe në Itali, Greqi, Gjermani, Turqi, Austri, Rumani, Danimarkë, Slloveni, Izrael, Britani e Madhe, Belgjikë, Suedi dhe Kroaci.

“Kemi realizuar të gjithë menaxhimin nëpërmjet ambasadave, të nevojave që shoqatat për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare kanë qoftë për tekstet, por dhe me programe të tjera, të cilat ne jemi duke zhvilluar, sikurse është programi “Mësues për Greqinë”. Shpërndarja e librave është bërë sipas nevojave të paraqitura nga ambasadat tona në vende të ndryshme, me fokus të veçantë në vendet ku kemi një përvojë dhe praktikë të mirë përcaktuar, si Greqia, Italia, Gjermania, Britania e Madhe dhe vende të tjera,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

SHKARKO APP